Deputeti Mima i kërkon qeverisë të mos rrisë taksën e qarkullimit, që do të rëndojë mbi industrinë dhe konsumatorët familjarë

Pas lajmit të keq zyrtar për rritjen e çmimit te energjise elektrike nëpërmjet heqjes së fashës mbrojtëse prej 300 kilovatësh, sot, një tjeter lajm i keq ka mbërritur, ai për rritjen e taksës së qarkullimit me 120 lekë të vjetra për çdo litër karburant nga 1 janari 2015. Ky lajm është tronditës për industritë por edhe konsumatorët familjare në këto kohë kur kriza është ulur këmbëkryq në vend dhe ka kafshuar me dhëmbet e saj mijëra biznese e dhjetra mijëra vende pune.

Ky lajm i keq për shqiptarët është baraz me 80-90 milionë dollarë në vit të cilat qeveria i merr direkt nga xhepat e çdo qytetari shqiptar,  por shuma që do t’u merret atyre indirekt është disa herë më e madhe se e mësipërmja duke rënduar në kostot e mallrave e shërbimeve që e kanë transportin element përbëres të tyre.

Është e qartë se, pas çmontimit të sistemit me të thjeshtë tatimor që vendi kish pasur ndonjëherë, qeveria nuk ka ndërmend të ngreje një sistem tatimor të aftë për të vjelë ato tatime e taksa qe janë të vështira për t’u administruar por mjaftohet me prezantimin e elementëve shtesë vetëm nga burimet e lehta për t’u taksuar. Partia Demokratike i thotë qeverisë me zë të lartë: “Mos e bëj këtë rritje të rrezikshme të çmimit të karburanteve, analizoje me kujdes situatën në të cilën ndodhet vendi, analizo përvojat e vendeve  evropiane dhe do ta shohësh që nuk ke nevojë të rrisësh taksën e qarkullimit, pasi aq para mund t’i gjesh, fjala vjen, tek mirëadministrimi i akcizave, ku evazioni është ulerites, megjithë makiazhin qeveritar me uljen e planit.


Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Florion Mima, 23 Tetor 2014