Deputetët Zeneli dhe Turku vizitojnë Lazaratin dhe dëgjojnë shqetësimin e banorëve për dhunën e përditshme policore e psikologjike në komunën e tyre.

Deputetët e Partisë Demokratike, anëtarë të Komisionit parlamentar të Sigurisë, Alban Zeneli dhe Adrian Turku vizituan dje Lazaratin dhe u takuan me banorët atje për të parë nga afër situatën e krijuar së fundmi. Deputetët patën gjtihashtu takime edhe me drejtuesit e Policisë së Gjirokastrës.

Zeneli dhe Turku dëgjuan nga afër shqetësimet e banorëve të Komunës dhe dënuan dhunën dhe presionin e vazhdueshëm që ushtron Policia në këtë zonë.

“Ne kemi ardhur këtu në lidhje me shqetësimin e jo vetëm disa banorëve por të gjithë Komunës së Lazaratit, për dhunën e ushtruar nga policia ndaj familjeve të kësaj Komune. Në rradhë të parë ne morëm kontakt me drejtues të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës. Më pas morëm kontakt edhe me disa të ndaluar për shkak të kësaj ngjarjeje, jo me të gjithë të ndaluarit por me dy të arrestuarit që në prezencë time edhe të deputetit Turku pranuan që dhuna policore ishte e jashtëzakonshme brenda familjes së tyre. Brenda policisë dhuna nuk ishte ushtruar, por aty nuk ishin marrë në pyetje asnjë moment. Përveç informacioneve e kemi konstatuar edhe vetë një prezencë shumë të madhe policore, jashtë çdo lloj norme jo vetëm ligjore por edhe logjike. Për shkak të kësaj edhe reagimi i qytetarëve është mëse i drejtë. Ne i kemi kërkuar dhe i kërkojmë qeverisë shqiptarve dhe krerëve të Policisë Shqiptare që në mënyrë absolute që ndaj familjeve që banojnë në këtë Komunë të ndalohet një orë më përpara diskriminimi e dhuna policore që ushtrohet në çdo moment”, u shpreh deputeti Zeneli.

Deputeti Turku, dënoi presionin psikologjik dhe kriminalizimin që qeveria po i bën gjithë komunitetit atje.

“Nuk është aq e lehtë të japësh një përgjigje se çfarë do të ndodhi me këtë fshat, unë në shtesë të dhunës fizike, dhunës policore që kolegu im përmendi dhe që konstatohet nga të gjithë banorët në atë pritje të qindra vetëve, në atë takim me qindra vetë aty në sheshin e fshatit, do thoja që ka një problem tjetër shumë madhor. Pas një aksioni të para katër muajve të Policisë së Shtetit pritej që tashmë të ishte çliruar nga “kriminelët” le të themi që pretendonte policia në këtë fshat, dhe të ishte vendosur një marrëdhënie e ngrohtë midis komunitetit dhe policisë, dhe të ishte kthyer tashmë qetësisë, normaliteti. Në fakt ajo që më trondit, që konstatoj, është që ekziston një klimë tejet e acaruar midis komunitetit pa dallim, votues të së majtës dhe të së djathtës. Ata ndihen të kërcënuar le të themi nga Policia, nga ekzistenca ditë dhe natë e katër patrullave dhe forcave të tjera policore pas orës 11 të natës që, me kapuç në kokë, sorrollaten në emër të ruajtjes së qetësisë apo kapjes së elementëve të ndryshëm. Tashmë ky fshat me mbi 1.200 shtëpi, ka rreth 300 persona që janë nën hetim, ka rreth 60 të arrestuar që prej katër muajsh nuk e shohin akoma sallën e gjyqit. Ka disa të ndaluar në ditën e djeshme dhe të sotme në orët e natës dhe që akoma s’janë pyetur në dhomat e komisariatit. Pra është një gjendje pothuajse lufte ose armiqsore, psikologjike. A mund të zgjidhet kështu problemi midis forcave të rendit, midis ligjit nga njëra anë dhe një komuniteti të tërë nga ana tjetër, duke kriminalizuar ose vënë nën një trysni forcash policore, nën një trysni psikologjike një komunitet i tërë prej rreth 5000 banorësh, sigurisht përgjigjen unë mund ta jap që tani, jo nuk mund të zgjidhet kështu”, u shpreh Turku.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 10 Tetor 2014