Deklaratë e deputetit Keltis Kruja mbi standartet e dyfishta të INUK-ut të Edi Ramës që prish ndërtimet e të pamundurve dhe lejon ndërtimet e klientelës së tij

Prishjet selektive të ndërtimeve nga Edi Rama, po lënë pas jo vetëm gërmadha e varfëri, por po nxjerrin në dritë pabarazinë e qytetarëve.

Kjo padrejtësi është revoltuese e nuk mund të fshihet.

Në zonën përballë maternitetit të ri, fadromat e Edi Ramës kanë bërë hi shumë ndërtime. Po si ka mundësi që nuk preket shtesa e vëllait të Koco Kokëdhimës, e cila ka zënë 1 metër e gjysëm trotuarin ku duhet të kalojnë qytetarët.

Kjo foto e tregon qartë.

Në rrugën Mine Peza, fadromat e Edi Ramës kanë shembur dyqane e njësi me të cilat ushqehen familjet. Por ka mbetur në këmbë si provë e lidhjeve politike, ndërtesa Kryetarit të Partisë Socialiste për njësinë 10.

Zonën e Don Boskos, Edi Rama e ka përdorur për të bërë propagandë me prishjet që po bën. Po si shpjegohet që nuk preket lokali i Drejtorit të Personelit në Policinë e Shtetit, Xhevahir Karaj. Kjo foto është akuzë. Karaj është i paprekshëm pasi njihet edhe si  donator i Partisë Socialiste në zgjedhje.

Në Kombinat, është një lokal në mes të rrugës, në mes të lulishtes. Kuptohet nga emri se kush e ka. Quhet Dako Kafe dhe e zotëron djali i xhaxhait të Kryetarit të Bashkisë së Durrësit. Prishjet selektive të Ramës e kanë kursyer. Ja fotoja e këtij ndërtimi, dëshmi e standartit të dyfishtë të Edi Ramës.

Po në këtë zonë, në mes të hapësirës publike gjendet kjo ndërtesë e madhe që ka zaptuar lulishten. Pse lejohet kjo nga Edi Rama?!! Se i përket një funksionari të lartë të INUK.

INUK-u i Edi Ramës sigurisht nuk mund të prishë pronat e veta, të miqve të Kryeministrit, të funksionarëve të Partisë Socialiste, të klientelës qeveritare.

INUK është kthyer në një bandë zuzarësh që vepron sipas urdhërave politike të Edi Ramës. Ne do të jemi në krah të qytetarëve të vendit dhe i ftojmë ata të përdorin cdo mjet për të kundërshtuar dhunën qeveritare ndaj të pamundurve, dhe paprekshmërinë për ata që kanë lidhje me Kryeministrin.


Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Keltis Kruja, 24 Tetor 2014