Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Paloka, denoncon mashtrimin e Kryeministrit dhe fshehjen e të vërtetës në lidhje me mosmarrëveshjen për truallin Edi Rama po thellon mashtrimin në lidhje me xhaminë e Namazgjasë duke i fshehur publikut dhe besimtarëve myslimanë një të vërtetë kriminale. Në shkelje të ligjit dhe në pabesi të plotë kërkon t’i heqë të drejtën e gëzimit të pronës familjes Kruja e cila zotëron një pjesë të mirë të truallit. Nga muaji korrik, qeveria ka ndërprerë bisedimet me këtë familje përsa i përket shpronësimit. Dhe tinëzisht, Edi Rama ka ndërsyer strukturat e tij, për të atakuar të drejtën e pronësisë së familjes Kruja mbi këtë tokë, një e drejtë e fitituar sipas ligjit e Kushtetutës në vitin 1994. Të gjitha këto lëvizje Edi Rama po i bën në prapaskenë, duke injoruar faktin se familja Kruja është duke ndjekur një proces gjyqësor, ku ka kërkuar hedhjen poshte të aktit të Kryeministrit, i cili anulloi lejen për zhvillimin e përbashkët të truallit mes Komunitetit Musliman e familjes Kruja, një zgjidhje që u arrit me përpjekjen të gjithë palëve, kryesisht Komunitetit Mysliman dhe pronarëve të truallit privat. Gënjeshtër e pastër është ajo që thotë Kryeministri se ka arritur marrëveshje me familjen Kruja për shpronësimin. Asnjë marrëveshje nuk është arritur, dhe nuk mund të arrihet marrëveshje me dikë kur e sulmon pas shpine dhe tenton ti heqësh të drejtën e pronësisë. Kjo është një përpjekje e mbrapshtë e Edi Ramës në kundërshtim me ligjet e vendit, me moralin dhe rregullin, sigurisht haptazi e papajtueshme me etikën e Komunitetit Musliman përsa i përket shenjtërisë së pronës private. Edi Rama po luan një lojë të rrezikshme duke manipuluar me një propagandë mashtruese, dhe në këtë vorbull intrigash po përpiqet të përfshijë edhe Komunitetin Musliman. Partia Demokratike i kërkon Kryeministrit të bëjë menjëherë transparencë në lidhje me këtë projekt. Cila është marrëveshja që ka arritur me familjen Kruja? Pse ka vënë Avokaturën e Shtetit për të zhbërë të drejtën e pronësisë së kësaj familjeje, ndërkohë që mburret se ka arritur marrëveshje? Përse i bën presion drejtësisë, duke e vënë atë para faktit të kryer, kur cështja është në gjykim dhe familja Kruja pret të drejtën e saj në lidhje me lejen e dhënë nga Bashkia e Tiranës? Përse mashtron komunitetin musliman dhe bën lojëra të ulëta politike me ndjenjat e besimtarëve? Përse po e vë në rrezik projektin e shumëpritur nga komuniteti musliman për një Xhami të Madhe, thjesht për tekat e tij?