Deklaratë e zëdhënëses Oriela Nebiaj 

Qeveria ka nisur një përndjekje masive ndaj mësuesve profesionistë e me përvojë, për ti detyruar të lënë punën, që ti zëvendësojë ata me militantë partie.

Në shumë raste, kjo fushatë spastrimi po bëhet për interesa korruptive, pasi qeveritarët i nxjerrin këto vende pune në ankand dhe ia japin prurësit më të mirë.

Me pretekstin se kanë më pak orë nga sa duhet, qeveria po u bën presion mësuesve profesionistë, me eksperiencë të madhe në mësimdhënie.

Ky persekutim është në kundërshtim të hapur me ligjin “Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” dhe me Udhëzimin “Për procedurat e emërimit dhe largimit nga puna të mësuesit në institucionet e arsimit parauniversitar”.

Ligji jep garanci për mësuesit dhe parashikon qartë rastet e shkarkimit të tyre kur hasen shkelje të rënda. Ligji gjithashtu siguron profilizimin, trajnimin dhe aftësimin e mësuesve për përditësimin e dijeve.

Shkaku që ka gjetur qeveria, për orët mësimore është thjesht një maskë për të mbuluar interesin klientelist e korruptiv të qeveritarëve e të drejtuesve të arsimit në rrethe.

Gjuetia e shtrigave është shtrirë në gjithë rrethet e vendit, cka ka krijuar sot që flasim një gjëndje kaosi dhe ankthi tek nxënësit dhe mësuesit.

Kjo është një goditje e pabesë që i bëhet arsimit nga Kryeministri i vendit në cdo nivel të tij. Pasi la në rrugë mijëra studentë me corbën e tij klienteliste të universiteteve, Rama po bën gati hedhjen në rrugë edhe të mësuesve profesionistë.

Mësuesi është një prej kolonave të rëndësishme të shoqërisë tonë, dhe ne i bëjmë thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga kjo trysni, nga ky shantazh që po ushtron ndaj tyre. Ne kërkojmë që në shkollat tona të kthehet menjëherë ligjshmëria, rregulli, respekti dhe dinjiteti për mësuesin.