Deputeti Bylykbashi dorëzon në Kushtetuese kërkesën për shpalljen e pavlefshme të ndarjes territoriale. “Kjo maxhorancë kërkon të konsolidojë oligarkinë Rama-Meta, e cila kërkon të krijojë edhe oligarkët lokalë”

“Sapo depozituam kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar shpalljen antikushtetuese të ligjit të ri për ndarjen territoriale-administrative. Gjithashtu, kemi kërkuar edhe pezullimin e këtij ligji. Siç e kishim premtuar, do ta godisnim këtë ligj sepse është një nga tentativat më të papranueshme në shkelje të Kushtetutës, jo vetëm të konsensusit politik, por është një thyerje flagrante e Kushtetutës në shumë aspekte. Qoftë në aspektin procedural siç e kanë miratuar, duke shkelur çdo rregull, si dhe qoftë në aspektin e shkeljes së njësërë të drejtash që përcakton Kushtetuta. Sigurisht që jemi përpara një shkeljeje me këtë ligj të miratuar nga maxhoranca me një nxitim të jashtëzakonshëm. Jemi përpara një shkelje që ka vetëm një synim; kapjen dhe fitoren e zgjedhjeve në tavolinë. Kjo është jo vetëm në vazhdën e të gjithë tentativave për kapjen e çdo institucioni nga kjo maxhorancë por në rastin konkret është një tentativë antikushtetuese për të kapur themelin e demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Sigurisht me këtë hartë, e cila i bën gjëmën procesit zgjedhor, i cili ka njohur deri më sot arritje, kjo maxhorancë do kërkojë që të mos bëjë asgjë më pak dhe asgjë më shumë por të konsolidojë oligarkinë Rama-Meta e cila kërkon të krijojë tashmë oligarkët lokalë. Të krijojë kryetarët e bashkive të cilët t’i thonë “lepe peqe” kësaj oligarkie këtu në Tiranë, por kjo nuk është në interesin e qytetarëve shqiptarë. Për rrjedhojë, ne sot dorëzuam një kërkesë voluminoze në Gjykatën Kushtetuese me shpresën se kjo gjykatë do të verë Kushtetutën mbi këtë shkelje flagrante dhe skandaloze”.