Deklaratë e deputetit Ristani, pas dëshmisë së qytetarit mbi vrasësit e bankierit Santo. Shpërfillja e dëshmisë nga Policia konfirmon përfshirjen e qeverisë në këtë krim të rëndë mafioz

Dëshmia tronditëse e një qytetari sot në News 24 në lidhje me vrasjen e bankierit Artan Santo, është një akuzë e rëndë për Policinë e Shtetit, dhe forcon dyshimet se pas ekzekutimit mizor të financierit dhe botuesit të njohur, qëndrojnë segmente të qeverisë.

Qytetari denoncon publikisht se ka pasur prova dhe emra të vrasësve, dhe ia ka dhënë ato Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Por qytetari është shpërfillur nga policia pasi ndihma që ai ka dhënë për zbardhjen e ngjarjes nuk është marrë në konsideratë.

Informacionet që ka dhënë ai, janë hedhur në kosh.

Qytetari i është përgjigjur thirrjes publike të autoriteteve, për të dhënë informacion,  por ai është përballur me heshtjen dhe indiferencën e policisë.

Shpërfillja, lënia në rrugë e dëshmitarit, për raste të rënda kriminale, ku qeveria ka interesa, është kthyer tashmë në fenomen. Mjaft të kujtojmë këtu dëshmitarin e rastit Sinani, apo dëshmitarin për cështjen Frroku, për të kuptuar se besimi i publikut tek Policia ka rënë, dhe me këtë qeveri, ka rënë vlera e bashkëpunimit të qytetarëve për zbardhjen e vrasjeve mafioze.

Sipas medias emrat e deklaruar nga dëshmitari nuk i janë paraqitur prokurorisë, që do të thotë se ndaj tyre nuk janë kryer veprimet e duhura ligjore për të shkuar te personat e denoncuar e për ti ndaluar ata.

Reagimi i sotëm i krerëve të Policisë së Shtetit, ishte i turpshëm, një presion i hapur ndaj medias që publikoi dëshminë, dhe një përpjekje tjetër e stilit të sigurimit të shtetit për të mbuluar të vërtetën.

Reagimi i Policisë ishte gjithashtu një përpëlitje për të larguar përgjegjësinë, dhe për të zbehur dëshminë tronditëse, ende pa u shfaqur ajo.

Por pyetjet që ngre sot cdo shqiptar janë;

Pse nuk reagoi policia pas dhënies së informacionit për personat e përfshirë në vrasje?

Kush e urdhëroi policinë të mos lëvizte gishtin për të bërë atë që e ka për detyrë, zbardhjen e vrasjes?

Kush ka forcën apo fuqinë t’i imponohet me një mënyre të tillë policisë?

Cfarë motivesh bllokuan hapat që merren edhe në rastet rutinë, e jo më për këtë vrasje të bujshme të stilit mafioz?

Përgjigja është evidente për cdo shqiptar, për cdo njeri me mend në kokë.

Motivi ka qënë fshehja dhe mbulimi i vrasësve.

Motivi është ai që Partia Demokratike e ka denoncuar prej kohësh.

Vrasja është lejuar të ndodhë.

Pas vrasjes qëndron qeveria.


Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike Arben Ristani, 13 Tetor 2014