Ndërprerja e marrëdhënieve me Kuvendin është pasojë e asgjesimit të debatit parlamentar nga dyshja Rama-Meta. Me qëllimin e vetëm për të ndalur transparencën dhe llogaridhënien parlamentare para qytetarëve, Rama-Meta shkelin Kushtetutën dhe ligjin, refuzojnë zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Por për të shuar fjalën e lirë në Kuvend nuk janë mjaftuar me kaq. Edi Rama ka instaluar në Kuvend individë me rekorde kriminale të cilët i përdor për skenare dhune kundër opozitës. Opozita mund të përballet fizikisht me këta horra dhe urdhëruesin e tyre Rama, por skenaret e gjakderdhjes nuk janë zgjidhje por përshkallëzim drejt një konflikti civil me pasoja të pallogaritshme për vendin. As nënshtrimi i Partisë Demokratike para krimit dhe aleatëve të tij politikë nuk ka për të ndodhur kurrë!

E vetmja zgjidhje është rikthimi i Parlamentit në normalitet. Për këtë arsye opozita ka propozuar një marrëveshje shumicë-opozitë me garanci dhe mbikqyrje të faktorit ndërkombëtar ku shumica të angazhohet të mos verë më kurrë në pikëpyetje sovranitetin e Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatave si dhe të punojë bashkë me opozitën për të çmontuar mekanizmin që promovon krimin në Kuvend dhe në strukturat shtetërore.

Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë të paguajë çdo çmim në mbrojtje të demokracisë dhe lirive themelore. Papunësia në rritje, varferia, pasiguria dhe depresioni ekonomik si dhe arroganca e paligjshmëria qeveritare janë prodhim i drejtpërdrejtë i degradimit të shtetit ligjor dhe demokracisë parlamentare nga dyshja Rama Meta. Kush mbyll sytë apo e shikon me syze rozë këtë realitet gabon rëndë dhe gënjen veten. Nëse nuk ka reflektim, Partia Demokratike do të udhëheqë qytetarët në protestat më masive dhe popullore deri në rrëzimin e atyre që mendojnë se janë mbi ligjin dhe Kushtetutën.


Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, 21 Tetor 2014