-“Kërkohet konsensus, gjithpërfshirje dhe dialog me opozitën”-“Kërkohet zbatim i vendimit të gjykatave dhe dekriminalizimi i Kuvendit e Administratës Publike” Të nderuar përfaqësues të medias, të nderuar zonja dhe zotërinj Bashkëqytetarë Faleminderit për këtë komunikim përmes ekranit në një ditë të rëndësishme për Shqipërinë siç është publikimi i progres-raportit për vitin 2014, raport i cili mu dorëzua para gjysëm ore zyrtarisht nga ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë. Ky raport i cili ka qarkulluar tashmë dhe ka qënë subjekt i komenteve gjatë gjithë ditës, nuk lë vend për hamendësime. Eshtë i qartë, objektiv dhe përfshin në masë të madhe shqetësimet dhe problemet me të cilat vendi është përballur, një pjesë e mirë e të cilave kjo opozitë i ka denoncuar në mënyrë të përditshme e të përjavshme. Në veçanti raporti bën një kontrast përsa i përket zhvillimeve negative nga qershori e këtej, zhvillime të cilat kanë pamundësuar që raporti të ketë qoftë edhe një referencë të vetme, qoftë një premtim apo sugjerim për hapjen e negociatave, ndonëse në qershor në Tiranë, përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian thanë se hapja e negociatave brenda vitit ishte e mundshme nëse plotësoheshin prioritetet. Raporti reflekton shqetësim në rritje të Bashkimit Europian sikundër të shoqërisë shqiptare dhe të shqiptarëve për krimin e organizuar, korrupsionin, si dhe për krizën ekonomike. Raporti denoncon frymën konfliktuale të qeverisë, shkeljen e Kushtetutës, të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që kanë pamundësuar së bashku me dhunën e organizuar në parlament, rolin mbikqyrës të opozitës. Raporti denoncon mungesën e konsensusit për reformat, në veçanti për reformën territoriale por edhe për reformat në tërësi. Dhe sot në Parlamentin Europian, europarlamentarët me pyetjet e tyre kryqëzuan jo Komisionerin për Zgjerim, por Edi Ramen për depërtimin e krimit në parlament dhe në administratën e lartë shtetërore, moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, kapjen e institucioneve të pavarura, prishjen e konsensusit politik, për goditjen që i bënë votës së lirë dhe të ndershme më shitblerjen e turpshme të votave në Korçë dhe amnistimin e këtij krimi në Parlament. Ndryshe nga raportet e tjera, siç nuk ka ndodhur asnjëherë, për herë të parë në progres-raportin e 2014 shprehet shqetësimi për moszbatimin e Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetutese. Prandaj zbatimi i ligjit, kriteri numër një për tju afruar paradhomës së Bashkimit Europian është potencuar kësaj radhe më shumë se çdo herë tjetër si një problem madhor për vendin. T’i kërkosh qeverisë të respektojë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimet e gjykatave në tërësi vetëm 3 muaj pas marrjes së statusit të vendit kandidat, është thellësisht alarmuese. Në raport thuhet qartë se shumica duhet të marrë masa për respektimin e plotë të rolit mbikqyrës të opozitës në parlament pa asnjë vonesë! Vlerësimi për punën e parlamentit nis me rezolutën e propozuar nga opozita në nëntor për integrimin europian dhe mbaron me degradimin në përdorimin e dhunës në parlament që çoi në largimin e opozitës. Administrata publike Në raport theksohet se konsensusi që u arrit në parlament nuk mund të hidhet poshtë me një Akt Normativ të njëanshëm të qeverisë, siç ndodhi. Dhe si rrjedhojë e këtij veprimi arbitrar, largimet masive nga puna, e nëpunësve civilë e punonjësve të administratës publike kapin, sipas shifrave të dhëna nga vetë autoritetet këtu, 6000 të larguar, ndërkohë që 2/3 e vendimeve të Gjykatës të Shkallës së parë janë në favor të punonjësve të larguar padrejtësisht, dhe në raport kërkohet zbatimi i këtyre vendimeve. Institucionet e pavarura Raporti thotë qartë se pavarësia e institucioneve të pavarura është cënuar seriozisht nga mënyra e shkarkimit dhe emërimit të drejtuesve dhe të bordeve të këtyre institucioneve duke përfshirë rastin e AMA-s, dhe kërkon rikthimin e të gjitha funksioneve statutore dhe pavarësinë e institucioneve. Krimi dhe korrupsioni Raporti thotë se qeveria nuk ka një qasje strategjike për të luftuar krimin e organizuar në territorin e vet dhe se krimi i organizuar është një sfidë shumë e madhe për Shqipërinë. Përveç shqetësimit për korrupsionin dhe kërkesës për luftën ndaj tij, ka dhe konstatime të drejtpërdrejta si përshembull tek prokurimet publike ku thuhet se ka rritje galopante të prokurimeve të drejtpërdejta dhe pa shpallje, ç’ka do të thotë korrupsion masiv me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Alarmi i rritjes së azilkërkuesve Për herë të pare, pas vitit 2010 kur shqiptarët përfituan nga liberalizimi i vizave, nga heqja e vizave, Shqipëria renditet në vend të dytë për numrin e azilkërkuesve, dyfish më shumë se viti i kaluar, thotë raporti. Dhe e lidh ketë jo vetëm me pamjaftueshmërinë e masave të marra por edhe me kriterin ekonomik. Ashtu si edhe raporte të tjera dhe tashmë edhe vetë INSTAT-i qeveritar pranon krizën ekonomike, edhe raport-progresi konstaton rënie të likuiditeteve, të kapitalit, të parave, ulje të besueshmërisë në ekonomi që do të thotë më pak kreditim, më pak konsum, dhe rritje drastike të numrit të papunëve. Reforma e gjyqësorit Në reformën e gjyqësorit, një tjetër prioritet kyç për avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, raporti thotë se duhet të përvijohet me një qasje konstruktive , bashkëpunuese të të gjithë aktorëve përfshirë Komisionin e Venecias, etj. Raporti thekson qartë se 3 ligjet e miratuara me urgjencë në seancën e fundit në parlament ishin fragmentare dhe u bënë jashtë procesit gjithpërfshirës, pa konsultime duke përjashtuar ekspertizën ndërkombëtare. Me këtë rast Komisioni Europian thekson se pikërisht ky nuk duhet të jetë shembulli që duhet ndjekur, pasi procesi duhet të jetë gjithpërfshirës konsensual dhe i çertifikuar nga Komsioni Venecias dhe ekspertët e tjerë europianë dhe amerikanë. Liria e shprehjes dhe media Qeveria ka dështuar në adresimin e prioriteteve të përcaktuara, thotë raporti, por ne e dimë fare mirë se pas kësaj fjalie fshihen probleme të mëdha dhe të përkeqësuara në raport me lirinë e medias, me lirinë e fjalës në Shqipëri, disa prej të cilave rëndojnë drejtpërdrejt mbi gazetarët, mbi profesionalizmin e tyre. Presionet që ushtrohen mbi ta në forma të ndryshme përmes apo mbi pronarët e mediave, pa dyshim nuk i kanë shpëtuar syrit vëzhgues të Bashkimit Europian. Bllokimi i pushtetit vendor Qeveria pengoi ushtrimin nga ana e pushtetit vendor të kompetencave ligjore, thotë raporti. Shkon më tej duke thënë se ka diskriminim financiar të njësive vendore mbi baza politike, dhe mbetet një sfidë transparenca dhe planifikimi për fondet e akorduara njësive të qeverisjes vendore nga qeveria. INUK Flet edhe për INUK-un, kur thotë se Gjykata Kushtetuese urdhëroi mospërfshirjen e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar në shkatërrime në kundërshtim dhe në ndërhyrje të pushtetit vendor dhe kërkon transparencë në procesin e vendimmarrjes. E në fakt vendimmarrja në INUK ngjason me vendimmarrje të organizave terroriste. Kërkohet dialog me opozitën Mesazhet për perkeqësimin e situatës politike janë të qarta. Qeveria thuhet në raport, ia përsëriti edhe komisioneri Fyle sot, ka përgjegjësinë të krijojë të gjitha kushtet që opozita të luajë rolin e saj mbikqyrës në parlament. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për rolin mbikqyrës të opozitës në Parlament është një hap dhe hapi tjetër ka të bëjë
pikërisht me adresimin e problemit të dhunës së organizuar apo organizimit të dhunës kundër opozitës në Kuvend. Që reformat të jenë të qëndrueshme dhe thelbesore duhet të jenë domosdoshmërisht gjithpërfshirëse dhe konsensuale. Duhet dialog dhe konsensus për reformat që na çojnë drejt BE-së. Apo, siç ua kemi thënë zotërinjve apo përsëritur shpeshherë edhe nga kjo dhomë, në Bruksel shkohet me opozitën jo kundër saj, me qytetarët shqiptarë dhe jo kundër interesave të tyre, me Kushtetutë dhe zbatim të ligjit dhe jo në shkelje të tyre. Opozita e përkushtuar në përmbushjen e kritereve E përshëndesim këtë raport, dhe shpreh angazhimin tim dhe të Partisë Demokratike, në emër të opozitës, për të luajtur rolin tonë në përmbushjen e objektivave, në përmbushjen e kritereve për hapjen sa më parë të negociatave. Kemi kërkuar dhe kërkojmë përmbushjen e këtyre kritereve jo vetëm thjesht për hir të procesit, por sepse ky vend ka nevojë për to. Dhe ne duam që elitat politike të jenë të painkriminuara, të kenë sjellje politike të qytetëruar dhe benda ligjit. Sepse duam dhe kemi nevojë për një shtet ligjor ku të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe ku ligji dhe Kushtetuta zbatohen njësoj për të gjithë dhe nuk shkelen në rradhë të parë nga qeveria dhe parlamenti. Ne duam ndarje dhe balancim të pushteteve dhe jo kapje dhe nënshtrim të tyre. Konsensus dhe gjithpërfshirje në çështjet thelbësore të ndërtimit të shtetit, as më pak as më shumë, përsërit Bashkimi Europian. Liri ekonomike dhe respektim të të drejtave të njeriut e jo nëpërkëmbje të tyre. Liri të medias, shoqërisë civile dhe zgjedhje të lira e të ndershme dhe jo me modelin famkeq të shitblerjes së votës që të gjithë shqiptarët e panë, siç ndodhi në Korçë. Brukseli foli qartë Për fat të keq kryeministri i vendit edhe sot bëri strucin. Nuk e di, tha, çfarë do opozita. Nuk e lexon dot në raport, veshët e tij nuk e dëgjojnë dot se çfarë thotë Brukseli se çfarë i tha sot edhe miku i tij Fyle nga aula e parlamentit europian, se çfarë i thanë europarlamentarët, se çfarë i thotë komisioni se çfarë i ka thënë dhe i thotë opozita në mënyrë të përsëritur. Rikthimi i jetës parlamentare mund dhe duhet të bëhet vetëm kur Edi Rama, si përgjegjësi kryesor për situatën e krijuar, të reflektojë, të flasë, të bëjë një mea-culpa të madhe për katranosjen që i ka bërë Kuvendit, në mënyrë që të krijohen premisat për të shkuar drejt një marrëveshjeje shumicë dhe opozitë që do të zgjidhte njëherë e mirë çeshjen e sovranitetit të padiskutueshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, që do të zgjidhte njeherë e mirë çeshtjen e dekriminalizimit të Kuvendit të Shqipërisë dhe mbarë administratës publike, duke e çmontuar në themel deri në vidhën e fundit mekanizmin që promovon trafikantë, vrasës, pengmarrës në Kuvendin e Shqipërisë dhe në administratën shtetërore. Shpresoj ta ketë dëgjuar sot, nëqoftëse jo, transmetojeni prapë nesër.