Deklarata e deputetit Aldo Bumçi

 

Dje ka ndodhur nje skandal shumë i rëndë gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka bojkotuar në mënyrë të turpshme, të pajustifikueshme dhe të paprecedentë fjalimin e Presidentit të Republikës, njëherësh Kryetar i delegacionit shqiptar në OKB. 

Ndërkohë që Presidenti i Republikës i drejtohet të gjithë vendeve anëtare të OKB-së, duke adresuar sfida që nga lufta kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, deri tek njohja e mëtejshme e Kosovës dhe integrimin Europian të Shqipërisë, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë nuk dënjon të qendrojë në sallë në detyrim dhe respekt të vendit dhe postit që ai perfaqëson. Këtë sjellje rrugaçërore, ministri Bushati mund t’ia kishte kursyer vendit të tij në sytë e të gjithë botës duke cënuar rëndë imazhin e vendit.  

Nëse ky gjest është rezultat i papërgjegjshmërisë personale të Ditmir Bushatit, atëherë Kryeministri Rama duhet të reagojë pa humbur kohë. Përndryshe është vetë Kryeministri që ka urdhëruar këtë skandal në forumin më të lartë të diplomacisë botërore.

Kryeministri e ka bërë zakon të ankohet për diplomatët shqiptarë por në fakt është ai dhe qeveria e tij që po dëmtojnë rëndë imazhin e Shqipërisë në botë.