Deklarata e Koordinatores për Mediat, Silvi Bardhi

 

Partia Demokratike e ka familjen në themelin e vlerave ku ngrihet si forcë politike, dhe si për çdo qytetar tjetër të vendit që martohet, ne i urojmë sot Erion Veliajt të trashëgohet. Krijimi i familjes i bën të rinjtë më të përgjegjshëm, dhe kur ata kanë edhe detyra të larta për të ushtruar, pjekuria dhe maturia janë të mirëpritura.

Për fat të keq, Ministri i Mirëqënies Sociale, që prej kohësh, po cilësohet nga gjithkush, si ministri i Mirëqënies Personale, me dasmën e tij, ka dështuar të japë mesazhet e përgjegjshmërisë , maturisë dhe pjekurisë.

Shpenzimet faraonike, paraja lumë rrugëve të Gjirokastrës, përfshirja e strukturave qeveritare dhe e bashkisë atje në organizimin e aktivitetit është një abuzim me pushtetin, është një provokim që i bëhet shoqërisë në ditët më të këqia të ekonomisë dhe gjëndjes sociale.

Erion Veliaj mund të ketë ftuar një mijë vetë, e mund të ketë shpenzuar qindra mijë euro për shandanë, kokteile, e luks sallonesh, por janë mijëra qytetarë që mezi mbyllin muajin, janë mijëra që kanë humbur vendet e punës, janë mijëra që marrin gjithnjë me vonese ndihmën sociale, janë mijëra të tjerë që tjetër gjë prisnin nga ky ministër, nga kjo qeveri.

Krekosja e Ministrit të Mirëqënies dhe shampanja e derdhur në muret e kalasë aspak nuk ndihmojnë asnjë nevojtar.

Ne nuk do të merreshim me dasmën e një ministri, por ishte zgjedhja e tij për ta kthyer këtë event privat, në një akt të pashembullt publik arrogance e mendjemadhësie e shpenzimit të pafre, në ditën kur të gjithë parametrat e ekonomisë së vendit janë përkeqësuar.

Teprimit financiar i bashkohet dhe keqpërdorimi i simboleve historike. As bedenat heroike, as Argjiroja nuk i japin dot fisnikëri një dasme të kamur qeveritare.

Jo kështjella e Gjirokastrës e historia e saj që nuk ndihet mirë nga ky fodullëk, por edhe Sokaku i të Marrëve, do të kishte pështirë nga kjo çmenduri  pasanikësh  pushtetarë që jetojnë në realitetin e tyre të dhjamur, pa asnjë ndjeshmëri për hallet, shqetësimet e kërkesat e qytetarëve.