Deklaratë për shtyp e Enno Bozdos

 

 

Kryeministri gjeti Kinën e largët për të lajmëruar për sukseset e Shqipërisë në sektorin e energjisë elektrike.  Dhe është e kuptueshme pse, sepse ai e ka shumë të vështirë të ballafaqohet këtu me shqiptarët, për sukseset imagjinare të qeverisë së tij në këtë sektor.

Heqjen e TVSH-së për energjinë, premtim ky i bërë me bujë përgjatë fushatës elektorale nga Rama, tashmë Kryeministri e ka fshirë nga defteri i tij. Në vend të uljes së premtuar të çmimit të energjisë, sot shqiptarët po përballen me mbifaturimet dhe me faturat aforfe. Dhe kryeministri mund ta ketë memorjen e shkurtër, por shqiptarët sigurisht që jo!

Një konsumator familjar, por edhe një biznes, për të njëtin konsum, sot paguan më shumë se dje, për shkak të udhëzimeve politike për fryrje të faturave. E pra, në këtë vit, jo vetëm që nuk u hoq TVSH për energjinë dhe nuk u ul çmimi i saj për qytetarët, por për të përmirësuar në mënyrë të gënjeshtërt treguesit e kompanisë së shpërndarjes, faturat mbifryhen dhe gjobat vendoset nëpërmjet pagesës aforfe.

Dhe ata konsumatorë që kanë ankesa për këto abuzime, i kanë shpresat e pakta të gjejnë të drejtën e tyre; udhëzimi politik është që ata të sorollaten zyrave të OSHEE (ish CEZ), për të mos ta gjetur kurrë të drejtën e tyre.

Sikur kjo të mos mjaftojë, qeveria lajmëron për rritjen e çmimit të energjisë. E paaftë për të disiplinuar vjedhjen e enërgjisë, e paaftë për të rritur arketimet, gjen rrugën më të thjeshtë, dmth rritjen e çmimit. Kjo do të thotë që konsumatorët e rregullt do të paguajnë edhe më shumë, ndërsa ata që vjedhin energjinë, do të vazhdojnë të mos paguajnë.

Rritja e çmimit sigurisht do të dëmtojnë konsumatorët dhe fuqinë blerëse të tyre, por edhe biznesin duke rritur ndjeshëm koston e të bërit biznes në Shqipëri, dhe duke ulur konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve shqiptare. Pas rritjes me 50% të tatim fitimit të kompanive, rritja e çmimit të energjisë është rritje e dytë më e dëmshme për ekonominë shqiptare.  

Këto fakte nuk janë suksese, përkundrazi janë tregues të fortë të dështimit të qeverisë në sektorin e enërgjisë elektrike. Dhe çfarëdo propagande të bëjë Kryeministri, qoftë nga Kina apo diku tjetër, shqiptarët e dinë dhe e ndjenë çdo ditë rritjen e çmimeve dhe shtregesën ekonomike mbi ta.