Deklarata e Partisë Demokratike.  

Dasma faraonike e Erion Veliajt, u karakterizua nga tiparevet kryesore të qeverisë; Abuzim, propagandë dhe mashtrim.

 

Abuzim me angazhimin e strukturave dhe fondeve qeveritare për ta bërë gati kalanë që të mirëpriste luzmën e të ftuarve. Janë tronditëse faktet e nxjerra nga media se si janë kanalizuar paratë e riksntruksionit të dikasterit që Veliaj drejton në funksion të dasmës. Punimet janë drejtuar dhe monitoruar nga bashkëshortja e Ministrit, gjë që ajo vetë e ka treguar në rrjetin social. Afati i punimeve të kryera në Kala dhe në qytet, ka qënë pikërisht dita e dasmës qeveritare.

Qeveria dështoi të organizojë festivalin folklorik, por nuk u kursye në asgjë për dasmën e Ministrit.

Tipari i dytë ka të bëjë me propagandën. Qeveria u përpoq me këtë dasëm, të induktojë gëzim e hare, sikur gjithcka në vend shkon mbroth. Por prika e madhe qeveritare e shkëlqimi luksoz thjesht nxorrën në pah kontrastin e madh mes ministrit të kamur e miqve të tij të kamur, me qytetarët e Gjirokastrës e mbarë vendit, që kanë humbur vendet e punës, që po vuajnë një gjëndje të rënduar ekonomike, me më pak para e me cmime të rritura, dhe me pasiguri të shtuar për të ardhmen.

Nuk mund të mungojë mashtrimi në këtë rast, që Ministri vetë zgjodhi ta kthejë në një aktivitet gjërësisht publik.

Mediat treguan se Ministri dhëndërr gënjeu qytetarët, teksa u rrek të tregojë se sapo është zgjuar të nesërmen e dasmës, është paraqitur në punë për tu marrë me hallet e popullit.

Në fakt, të nesërmen, ishte shpërndarë në televizione, një video e regjistruar një javë më parë, pasi në të vërtetë Ministri ishte sërish i zënë me dasmën e tij disa ditore.

Partia Demokratike edhe një herë e konsideron martesën një moment të rëndësishëm në jetën e secilit shqiptar dhe cmon se krijimi i familjes është një lajm i mirë për shoqërinë. Por ne nuk mund të pajtohemi, kur dasma qeveritare, e kthyer nga vetë Ministri në një shfaqje propagandistike, të jetë shoqëruar me abuzim, shpërdorim fondesh, dhe mashtrim publik.

Ministri dhëndërr bën mirë të japë përgjigje për këto cështje që i përkasin interesit publik. Nuk do të ishte e këshillueshme as për atë vetë që ta niste jetën bashkëshortore me këtë mëkat në ndërgjegje.