Zëvëndëspresidenti i Bundestagut Gjerman, z. Johannes Singhammer dhe delegacioni që e shoqëronte u priten sot në një takim nga deputetët e Partisë Demokratike, z. Edmond Spaho Nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, z. Aldo Bumçi nënkryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme dhe z. Genc Pollo, Kryetar i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Pasi i uruan mikut të nderuar gjerman mirëseardhjen e përzemërt në përvjetorin e 30-të të vizitës së ish-Kryeministrit të Bavarisë Franz Jozef Strauss në Shqipëri, deputetët e Partisë Demokratike vlerësuan marrëdhëniet e ngushta e të shkëlqyera ndërmjet të dy vendeve  dhe shprehen mirënjohjen per bashkëpunimin, mbështetjen dhe ndihmën bujare që Gjermania i ka dhënë në vijimësi Shqipërisë si në marrëdhëniet dypalëshe ashtu edhe në kuadër të integrimit evropian.

Zëvëndëspresidenti i Bundestagut Gjerman, z. Singhammer, shprehu kënaqësinë e veçantë që ndodhet në Shqipëri në këtë përvjetor i cili, pavarësisht refuzimit të regjimit diktatorial komunist për ta shfrytëzuar si një rast unik për hapjen e vendit, sërish përbën një stacion të rëndësishëm domethënës në ecurinë e shkëlqyer të marrëdhënieve të ngushta e miqësore e të bashkëpunimit midis të dy vendeve. Zëvëndëspresidenti i Bundestagut Gjerman Singhammer shprehu gjithashtu kënaqësinë e veçantë që takohej me përfaqësuesit e Partisë Demokratike duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka një opozitë e fortë në një vend demokratik.

Në vijim, Nënkryetari i Kuvendit Spaho u ndal në zhvillimet politike në vend dhe ndau me Zëvëndëspresidentin e Bundestagut shqetësimin e Partisë Demokratike për frymën antikonsesus, dhe fushatën e gjithanshme antiligjore dhe antikushtetuese të mazhorancës Rama-Meta dhe qeverisë për kapjen me çdo mënyrë të institucioneve të pavarura dhe zhbërjen e standardeve demokratike të arritura me kaq mund e përpjekje nga Shqipëria gjatë këtyre 23 viteve.

Hedhja në kosh e konsensusit të arritur me kerkesen e BE-së në rastin e nëpunësve civile, largimet nga puna të mijera e mijëra prej tyre dhe zëvëndësimi i tyre me militantë e individë me precedentë penalë, ndarja antikushtetuese dhe pa konsensusin e opozitës, aktorëve vendore dhe qytetarëve të hartës territoriale administrative, uzurpimi i institucioneve të pavarura si ILDKP dhe AMA, heqja dhe mohimi i kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës dhe se fundmi miratimi në kundërshtim flagrant, me parimet më themelore të sistemit demokratik të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e vendit dhe me rekomandimet e faktorit ndërkombëtar të paketës së ligjeve për të gjunjëzuar sistemin e drejtësisë ne vend, janë disa nga indiciet e qarta të fushatës arrogante të mazhorances Rama-Meta për zhbërjen e standardeve të demokracisë, shtetit të së drejtes dhe shtrirjen e pushtetit të interesave oligarkike.

Deputetët e PD-së ndanë gjithashtu me mikun Gjerman shqetësimin për aktet e dhunës së paprecedentë që kjo mazhorancë po ushtron në përpjekjet e saj për t’i mbyllur gojën opozitës por edhe situatën në degradim e sipër përsa i përket nivelit të kriminalitetit dhe pasigurisë në vend. Në këtë kontekst, rritja e barrës fiskale, pasiguria juridike si pasojë e anullimeve të paligjshme dhe brutale të kësaj qeverie të marreveshjeve me investitorë të huaj, rritja e krimit në vend po shkaktojnë panik dhe hezitim tek investitorët e huaj përfshi edhe ata gjermanë për t’i kthyer sytë nga Shqipëria. 

Megjithë këtë situatë të nderë, Partia Demokratike vijon të mbeshtesë pa asnjë kushtëzim të gjitha nismat ligjore të lidhura me integrimin evropian të Shqipërisë si dhe çdo nismë e cila do të sjellë forcimin e marrëdhenieve midis Shqipërisë dhe RF të Gjermanisë por u kërkon miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të insistojnë për ruajtjen e standardeve të arritura deri më sot dhe për rikthimin e konsensusit politik dhe bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare, si EURALIUS apo Komisioni i Venecias, për realizimin e reformave thelbësore me impakt afatgjatë siç është reforma në drejtësi apo reforma e lidhur me ndarjen administrative dhe decentralizimin.

Zëvëndëspresidenti i Bundestagut vlerësoi rëndësinë e funksionimit të institucioneve të gjithëpërfshirjes në Parlament dhe uroi që të gjenden rrugët për bashkëpunim për reformat e rëndësishme për të mirën e vendit. Bashkimi Europian është para se gjithash një komunitet vlerash dhe për Shqipërinë, si një pjesë e natyrshme e Europës, tashmë pas marrjes së statusit të vendit kandidat, është e rëndësishme që demokracia të funksionojë dhe në Parlament të dëgjohet zëri i opozitës. Përsa i përket këtyre vlerave, “Shqipëria është shëmbull i bashkëjetesës fetare” – tha z. Singhammer. Zëvendëspresidenti i Bundestagut ngriti gjithashtu një shqetësim në rritje kohët e fundit përsa i përket nivelit në rritje të azilkërkuesve nga Shqipëria dhe theksoi domosdoshmërinë për të marrë masat për të ndryshuar këtë situatë. Zëvëndëspresidenti i Bundestagut Gjerman përfundoi fjalën e tij duke rikonfirmuar mbështetjen e Gjermanisë për procesin e integrimit duke theksuar se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian si dhe ftoi për të shfrytëzuar të gjitha shanset dhe mundësitë për fuqizimin e zgjerimin e marrëdhënieve e bashkëpunimit bilateral midis të dy vendeve dhe atij në kuadër të integrimit evropian.