Deklarata e deputetit të PD, Flamur Noka 

 

 

Partia Demokratike ka denoncuar me prova e me fakte se Edi Rama ka bërë deputet të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, një të dënuar për trafik prostitucioni në rrethana rënduese dhe rrëmbim personi, dhe Edi Rama ka heshur, Partia Socialiste ka heshtur.

Partia Demokratike ka denoncuar me prova e me fakte, se me Edi Ramën, është bërë drejtor rajonal transporti një person i kapur me 750 kg kanabis, është bërë drejtor i ujësjellësit një person i dënuar me 16 vite burg për trafik droge, ka marrë një pozicion kyç në drejtorinë e lojërave të fatit, dikush i kapur me 200 kg heroinë, dhe Edi Rama e Partia Socialiste kanë heshtur.

Partia Demokratike ka denoncuar me prova e me fakte se Edi Rama bëri kryetar të Këshillit të Qarkut, personin e arrestuar nga policia italiane dhe të akuzuar nga mediat më të mëdha atje për rrëmbimin e një fëmije, dhe Edi Rama e Partia Socialiste kanë heshtur.

Kemi denoncuar me dhjetëra raste të personave me precedent penale që kanë kapur zyrat e administratës, me prova e me fakte, dhe Edi Rama e Partia Socialiste kanë heshtur.

Edi Rama dhe Partia Socialiste kanë zgjedhur të reagojnë vetëm dje për një emërim të bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Kontrollori i Rinasit, që në të shkuarën ishte korrier në Rinas i kalimit të parave të pista, është emëruar në vitin 2012 në agjensinë ANTA, kur kjo agjensi drejtohej nga përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Eshte emëruar me pëlqimin e Ilir Metës, dhe vazhdon të kontrollojë Rinasin me bekimin e Edi Ramës. 

Reagimi i djeshëm festiv i Edi Ramës, që denoncoi publikisht aleatin e tij kryesor për këtë emërim kriminal, nuk e mbulon dot heshtjen mortore për dhjetra raste të emërimeve kriminale, e të kriminalizimit që Edi Rama dhe Ilir Meta i kanë bërë administratës, në çdo nivel, deri tek Parlamenti i Shqipërisë.