Deklaratë e deputetit Myqerem Tafaj

  

 

 

 

 

33 ditë më parë, Edi Rama organizoi sulmin fizik dhe kërcënimin me jetë ndaj opozitës, çka solli një tension të paprecedent politik në vend, dhe si pasojë, Partia Demokratike u detyrua të ndërpresë marrëdhëniet me parlamentin.

Pas këtij akti banditesk të frymëzuar dhe të porositur nga Edi Rama, rezultoi dhe u provua nga Partia Demokratike, se instrumentat e dhunës që përdor kryeministri, janë deputetë të dënuar për vepra të rënda penale, si trafik prostitucioni e rrëmbim personi.

Asnjë reagim, asnjë qëndrim, asnjë fjalë të vetme, nuk tha Kryeministri.

Prej 33 ditësh, ai hesht për atë që mund të jetë një nga zhvillimet më të rënda në historinë 23 vjeçare të demokracisë sonë, inkriminimi i parlamentit dhe instalimi aty i skuadrave të dhunës anti-opozitë.

Por Edi Rama ka dështuar në përpjekjen për ti mbyllur gojën Partisë Demokratike dhe përfaqësuesve të saj.

Ne do të vazhdojmë çdo ditë të denoncojmë aleancën kriminale me të cilën Edi Rama erdhi në pushtet, dhe më të cilën po kap çdo ditë, çdo zyrë, çdo institucion.