Prej  24 ditësh, Edi Rama i ikën përgjegjësisë së drejtpërdrejtë që ka  për inkriminimin e parlamentit, dhe për pasojat që ka sjellë kjo në jetën politike në vend.

Kur shqiptarët panë deputetët e mazhorancës që goditën fizikisht brenda në parlament dhe kërcënuan me jetë opozitën për t’i mbyllur gojën, pritën që Edi Rama të mbante një qëndrim, edhe pse ishte ai porositësi i dhunës.

Por Edi Rama heshti.

Kur shqiptarët mësuan me prova dhe panë dosjen e plotë të agresorit dhe kërcënuesit, deputetit Arben Ndoka, i dënuar për trafik prostitucioni në rrethana rënduese dhe për heqje të lirisë së tjetrit, pritën që Edi Rama të reagonte, edhe pse është ai që ka firmosur hyrjen e këtij personi me precedent penal në kuvend, veshjen e tij me mandat dhe imunitet.

Por Edi Rama heshti, bëri të paditurin.

Ka 24 ditë që Edi Rama nuk thotë asnjë fjalë për faktet tronditëse që dëshmojnë inkrimimin e parlamentit, me vullnetin, firmën dhe vulën e tij.

Edi Rama jo vetëm nuk reagon por thellon projektin e tij të kapjes së shtetit, të institucioneve, të drejtësisë, pikërisht me ndihmën e aleancës kriminale që ka themeluar para zgjedhjeve, dhe po e shtrin sot në cdo zyrë e cdo hapësirë.

Sa më shumë ditë të kalojnë, aq më shumë Edi Rama dhe heshtja e tij janë në faj dhe nën akuzë, për inkrimimin e parlamentit.


Deklaratë e koordinatores për mediat, Silvi Bardhi, 3 Gusht 2014