Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, denoncon vendimin e qeverisë që kërkon të regjistrojë të dhënat personale të cdo abonenti të telefonisë celulare, për të monitoruar cdo komunikim të shqiptarëve, dhe fton qytetarët e lirë të reagojnë

 

 

 

Me 8 prill të këtij viti, Gjykata Europiane e Drejtësisë në Luksemburg ua ndaloi kompanive celulare të regjistronin të dhënat personale të aparateve të abonentëve dhe sigurisht ua ndaloi këtë dhe qeverive të Bashkimit Europian.

Por kryeministri i Shqipërisë,  Edi Rama, mendon ndryshe dhe vepron ndryshe në  rregjimin e tij oligarkik, që po kërkon tua imponojë qytetarëve shqiptare ditë pas dite.

Sipas vendimit të Edi Ramës, duke nisur nga nesër, çdo qytetar shqiptar që zotëron një aparat celular, duhet të dorëzojë pranë qeverisë, IMEI, pra të dhënat personale të telefonit. Përndryshe do të gjobitet me 5 mijë lekë.

Në këtë mënyrë, Edi Rama, po kërkon të ndërhyje brutalisht në jetën dhe komunikimet private të qytetarëve shqiptarë, të zgjasë syrin dhe veshin e kontrollit dhe kureshtjes perverse mbi këdo dhe në çdo moment të ditës, të ngrejë  një regjistër të dhënash konfidenciale të shtetasve shqiptarë, të vrasë privatësinë e tyre si një e drejtë njerëzore, ligjore, kushtetuese.  

Edi Rama kërkon tu hedhë një sy bisedave telefonike, kush flet me kë, korespondencës telefonike, kush dërgon mesazhe dhe kujt ia dërgon.

Edi Rama kërkon të kontrollojë faceboouk-un e secilit, whatsapp-in, viberi-in, bbm-in.  Edi Rama kërkon të dijë se çfarë flasin e mendojnë shqiptarët, pasi sot, përmes telefonit dhe aplikacioneve dhe programeve që përmenda, kryhet pjesa më e madhe e komunikimit mes shqiptarëve.

Me këtë vendim qeverie, Edi Rama u sjell në kujtesë shqiptarëve kontrollin e korrespondencës me letra në vitet me të errta të komunizmit, ai kërkon të bëhët  si Vëllai i Madh i shoqërisë totalitare, që përgjon gjithçka, por nga përmasat  oreksi dhe zelli kontrollues dhe përgjues i Edi Ramës e lë në hije pa dyshim edhe fantazinë e shkrimtarit anglez Xhorxh Oruell që njihet për trajtimin e kësaj teme.

Vendimi i Ramës për të kontrolluar jetën private të shqiptarëve është pjella e një mendje të mbrapshtë e të prishur, që në mënyrë sistematike po kërkon të mbërthejë çdo gjë. Pasi ka kapur disa nga  institucionet e pavarura, pasi ka kapur edhe Komisionrin e të Dhënave Private, pasi ka hedhur rrjetën për të kapur Drejtësinë,  pasi ka krijuar hetuesi të tijën në shtetin e tij paralel me shtetin ligjor akoma në fuqi, ai  tani kërkon të fusë në sirtar dhe jetën private të qytetarëve të vendit.

Partia Demokratike ka dhënë në kohë alarmin për këtë akt shumë të rëndë, që sfidon hapur standartet e civilizimit bashkohor,  vendimin e Gjykatës Europiane të  Drejtësisë, kushtetutën e Shqipërisë.

Partia Demokartike i bën thirrje sot çdo shqiptari që ka një celular të reagojë me mosbindje, të refuzojë me përbuzje  vendimin e Edi  Ramës, të  mos i dorëzojë të dhënat personale, siç kërkon  ai, të qëndrojë fort në të drejtën e tij kushtetuese që garanton privatësinë dhe qëndron mbi çdo vendim qeverie.

Partia Demokartike  u bën thirrje kompanive celulare në Shqipëri të respektojnë Kushtetutën e Shqipërisë dhe të mos ia dorëzojnë Edi Ramës të dhënat personale të abonentëve. Në të kundërt  ato do të përballen me paditë civile dhe penale të opozitës dhe qytetarëve të vendit dhe me bojkot masiv si dhe do të mbajnë përgjegjësi për këtë paligjshmëri skandaloze.

Marrja e të dhënave personale të  abonenteve të celularëve është një dhunë  qeveritare  që nuk ka për tu zbatuar e nuk duhet të zbatohet  asnjë ditë.

Partia Demokratike fton për të reaguar kundër këtij akti të rëndë antidemokratik,   mediat dhe shoqërinë civile,  gjithë njerëzit e lirë të këtij vendi.

Privatësia është e shenjtë, e garantuar me Kushtetutë dhe nga konventat ndërkombëtarë të të Drejtave të njeriut.

Kjo e drejtë meriton të mbrohet me çdo çmim!