Prononcim i deputetit Ristani, pas takimit me Avokatin e Popullit në lidhje me vendimin e qeverisë për marrjen e të dhënave personale në telefonat celularë

 

“Si përfaqësues të Partisë Demokratike dhe të Nënkomisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, unë dhe z.Islami morëm një takim me Avokatin e Popullit për t’i kërkuar atij që të jetë aktiv në një çështje shumë të rëndësishme siç është vendimi i qeverisë qëi detyron krijimin e një database apo mbledhje të të dhënave që kanë të bëjnë me IMEI-n e celularëve dhe regjistrimin e kësaj baze pranë Ministrise së Financave. Për ne, ky vendim qeverie, është një vendim që  vjen në kundërshtim me Kushtetutën, vjen në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe vjen në kundërshtim me praktikën më të mirë ndërkombëtare. Ju tashmë e dini dhe jeni njohur me një vendim të Gjykatës së Luksemburgut kundër një direktive të ngjashme të Komisionit Euriopian. Në këto kushte, ne mendojmë se çështja duhet zgjidhur, sigurisht që kemi edhe rrugë të tjera. Partia Demokratike ka drejtuar një kërkese edhe pranë Gjykatës Kushtetuese, por shpresojmë akoma që institucionet e pavarura të këtij vendi të kryejnë detyrën e tyre  për mbrojtjen e lirive themelore të njeriut.

Avokati i popullit kishte të njëjtin shqetësim, por mendonte që çështja është me e fokusuar tek Komisioneri për Mbrotjen e të Dhënave Personale, domethënë paraprakisht ata kishin një mendim që ndoshta kjo është jashtë kompetencës së Avokatit të Popullit, por gjithsesi ne mendojmë se kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut. Ne do të marrim edhe takime të tjera, edhe me Komisionerin  për Mbrojtjen e të Dhënave Personale por e rëndësishme është që institucionet e pavarura të këtij vendi të funksionojnë sepse të gjitha shenjat janë që oligarkia mafioze, banditeske po konsolidohet ditë pas dite dhe kjo që po ndodh është përsëri një element, një tregues shumë i qartë i kësaj që po ndodh”.