Kryetari i PD Lulzim Basha mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të PD-së në Bulzizë

 

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kërkuar nga anëtarësia e PD-së ta përdorë me përgjegjësi votën e saj me të cilën do të ndërmerren vendimet më të rëndësishme në PD. Në Kuvendin Zgjedhor të demokratëve të Bulqizës, zoti Basha kërkoi reflektim të dyfishtë ne zgjedhjen e drejtuesve të rinj nga njëra anë, në vlerësimin e vlerës dhe meritës, dhe nga tjetër në kundërvënien e vlerave të PD përballë antivlerave të promovuara nga mazhoranca.

 

“Ndonëse jemi gjithseci këtu i mandatuar, të gjithë jemi të barabartë me çdo demokrat tjetër brenda dhe jashtë kësaj salle dhe gjithsecili prej nesh ka një votë. Vendosja e votës së lirë në bazë të vendimarrjes është një përgjegjësi e jashtëzakonshme, një përgjegjësi që kërkon një reflektim të thellë nga gjithë ju ushtruesit e kësaj të drejte,  një reflektim të dyfishtë. Nga njera anë, brenda vetes tonë për çdo rast të shkarjes apo degradimit nga parimet e vlerës dhe meritës brenda radhëve tona dhe një reflektim tjetër në raport me vendosmërinë tonë për t’ju kundërvëne projektit më ogurzi por dhe më të pashpresë politik që ka kundërshtari ynë, të mbajtjes dhe menaxhimit të pushtetit përmes promovimit të antivlerave”, tha Basha. 

 

Drejtuesit e rinjt të PD-së duhet të nisin hartimin e alternativës së demokratëve, tha zoti Basha, ndërsa është ndalur në situatën e rëndë ekonomike, sociale dhe të sigurisë që po kalon vendi. Papunësia ka arritur shifra alarmante, tha Basha, ndërsa papërgjegjshmëria e qeveritarëve ka arritur kulmin.

 

“Mungesa e perspektivës dhe vizionit e ka zhytur Shqipërinë në ditën e saj më të keqe. Janë mbyllur vende pune, janë hedhur në rrugë njerëzit, përkeqësim në çdo statistikë të rendit,  vrasje,  tentative vrasje,  grabitje dhune, transparenca dhe përgjegjshmëria e pushtetarëve para qytetarëve është në nivelet më të ulëta që nga kapërcimi i diktaturës moniste. Sot është koha që demokratët e Bulqizës dhe gjithë Shqipërisë, nën drejtimin e ekipeve të reja të ndërtojnë alternativën tonë të re bazuar në parimet e lirisë,  konkurencës së lire e të pastër dhe të zhvillimit”, tha Basha.