Kryetari i Partisë Demokratike:Mirënjohje Italisë për mbështetjen pa rezerva ndaj Shqipërisë

 

-Situata kritike kërkon monitorim dhe  analizë të thellë nga Bashkimi Europian 

-Vlerësimet e përcipta të kësaj situate të mbarsur me rreziqe për stabilitetin, nuk i shërbejnë objektivave të përbashkëta për integrimin europian të Shqipërisë

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me Ministren e Jashtme të Italisë, Federica Mogherini, e cila ndodhet në një tur vizitash në rajon në kuadër të marrjes nga Roma zyrtare të Presidencës së Bashkimit Europian.

Duke ndarë kënaqësinë e marrjes nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat, z.Basha shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen që ka treguar Italia mike në këto 23 vite për vendin tonë në cdo fushë e në cdo drejtim.

Partia Demokratike e konsideron marrjen e statusit si një mundësi të madhe për Shqipërinë dhe është e vendosur të japë kontributin e saj në këtë drejtim. 

Por situata politike në vend ka degjeneruar në parametrat e një krize të gjithanshme për shkak të zhbërjes nga dyshja Rama-Meta të standarteve demokratike dhe sundimit të ligjit, theksoi kreu i opozitës.

Në këtë kuadër, Basha u ndal në rastet konkrete të kapjes së institucioneve dhe ndërprerjes së paligjshme të mandateve ligjore e kushtetuese si për kreun e ILDKP, AMA, INSTAT dhe së fundmi dhe Shkollën e Magjistraturës. 

Duke injoruar mesazhin e qartë dhe apelin e Bashkimit Europian se për reformën në drejtësi duhet gjithpërfshirje, konsultim dhe trasnparencë, qeveria tentoi të kalonte në parlament ligjet që kanë për qëlllim kapjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe sistemit gjyqësor në tërësi, dhe votoi ligjin me të cilin pezullon për një vit dhe kap Shkollën e Magjistraturës.

Kryetari i Partisë Demokratike i bëri të ditur Ministres së Jashtme italiane se sfiduesja më e madhe e ligjit në vend është vetë qeveria e cila nuk respekton dhe nuk zbaton vendimin e gjykatave, duke nisur nga ato të Gjykatës Kushtetuese, si në rastin e Ligjit për Nëpunësin Civil, për kompetencat e INUK për komisionet hetimore parlamentare, dhe qindra vendime të tjera të gjykatave të vendit.

Pasi e informoi për shkarkimin nga puna në kundërshtim me ligjin dhe vendimet e gjykatave të mbi 8 mijë nëpunësve, kryetari i Partisë Demokratike, u ndal edhe tek inkriminimi i administratës dhe futja në parlament e personave të dënuar për  vepra të rënda penale.

Basha e njohu Mogherinin për një sërë rastesh flagrante të inkriminimit të niveleve të larta të administratës dhe u ndal në vecanti tek rasti i kreut të Këshillit të Qarkut Vlorë, Sadrit Danaj i arrestuar në Itali dhe i raportuar nga gazetat më të mëdha atje si i përfshirë në rrëmbimin e një fëmije për gjobvënie, si dhe tek rasti i të dënuarit në Itali për shfrytëzim prostitucioni dhe rrëmbim personi, Arben Ndoka, i bërë deputet nga Edi Rama. 

Instalimi prej Kryeministrit në Parlament i instrumentit të dhunës përmes përdorimit të këtyre personave për të kërcënuar dhe goditur opozitën, ka krijuar një situatë tensioni politik dhe kjo e ka detyruar Partinë Demokratike të ndërpresë marrdhëniet me Kuvendin, për të shmangur skenaret e gjakderdhjes.

Në këtë kuadër, qartësoi z.Basha jo vetëm që nuk ka konstruktivitet dhe dialog nga ana e qeverisë, por ka eleminim të cdo hapësire ligjore për opozitën dhe dhunime fizike ndaj anëtarëve të saj. Pjesë e këtij realiteti është edhe refuzimi i përsëritur i mazhorancës për ngritjen e komisioneve parlamentare hetimore, një  e drejtë kushtetuese e opozitës e konfirmuar edhe nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Po kështu, theksoi Basha, dyshja Rama-Meta jo vetëm nuk ka ndërmarrë asnjë reformë, por po thellon konfliktin politik në vend, duke rrezikuar stabilitetin politik dhe shoqëror dhe duke minuar ecjen e Shqipërisë drejt integrimit Europian.

Kjo situatë kritike kërkon vëzhgim të kujdeshëm dhe analizë të thellë nga ana e Bashkimit Europian, theksoi kryetari Basha, pasi vlerësimet e përcipta të kësaj situate të mbarsur me rreziqe për stabilitetin, nuk i shërbejnë objektivave të përbashkëta të integrimit europian të Shqipërisë.