Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot Presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso me të cilin shkëmbeu pikëpamjet mbi punën e bërë deri më tani dhe sfidat e integrimit të Shqipërisë pas marrjes së statusit të vendit kandidat.

 

Z.Basha i shprehu z.Barroso mirënjohjen për kontributin që ai dhe Komisioni Europian kanë dhënë që Shqipëria të arrijë në këtë stacion të rëndësishëm të integrimit europian.

Presidenti Barroso vlerësoi lart kontributin e Partisë Demokratike në qeverisje të vendit dhe reformat e ndërmarra që mundësuan ecjen përpara të procesit të integrimit europian, dhe shprehu mbështetjen e plotë të Komisionit Europian për rolin e rëndësishëm të Partisë Demokratike në vazhdimin e rrugëtimit europian të Shqipërisë.

Duke shprehur keqardhje se mungesa e konsensusit nga opozita e djeshme vonoi miratimin e 3 ligjeve dhe shtyu për dy vite radhazi vendimmarrjen për statusin, Basha theksoi se Partia Demokratike e ka mbështetur pa asnjë kushtëzim procesin e integrimit që ditën e parë që kaloi në opozitë e do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.

Zbatimi i Kushtetutës, ligjit dhe vendimeve të gjykatave mbeten një sfidë e madhe tha Basha, duke e njohur Presidentin Barroso me zhvillimet shqetësuese në vend, ku qeveria refuzon të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera të vendit.

Basha u shpreh se konsensusi është arritur me vështirësi në këto vite në Shqipëri, por kur është arritur është zbatuar. Krejt e kundërta ka ndodhur nga mazhoranca  aktuale, akti i parë i të cilës ishte prishja e konsensusit për ligjin e nëpunësit civil që u ndoq nga spastrimet masive duke larguar mijëra punonjës nga detyra pa asnjë motiv ligjor.

Pavarësia e institucioneve dhe e gjyqësorit është në rrezik, theksoi Basha, duke e njohur z.Barroso me kapjen e institucioneve nga qeveria dhe me faktin se në 10 muaj janë ndërprerë mandatet e dy krerëve institucionesh të pavarura, ndërsa Presidentit të Republikës i janë hequr kompetenca që sipas ligjeve dhe Kushtetutës i ka ushtruar prej 15 vitesh.

Lufta ndaj korrupsionit është prioritet kyc, tha Basha, ndërsa vuri në dukje se korrupsioni politik është forma më e rëndë e tij. Kryetari i opozitës solli në vëmendje rastin e blerjes së votave në Korcë dhe amnistimin nga qeveria të këtij akti të rëndë, emërimin e një personi të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale në krye të Qarkut të Vlorës, kapjen përmes presioneve dhe akteve korruptive të kreut të Qarkut të Korcës, dhe një seri emërimesh të personave me precedentë penalë në poste drejtuese të administratës shtetërore.

Përtej retorikës dhe fjalëve të bukura, theksoi Basha, qeveria është angazhuar në ngushtimin e hapësirës parlamentare dhe ligjore të opozitës. Opozitës i mohohet e drejta kushtetuese e hetimit parlamentar, si në rastin e vjedhjes së të dhënave në serverin e tatimeve apo në kerkesën për hetimin e emërimit të personave me precedentë të rëndë kriminale në poste të rëndësishme të administrates. Dhuna fizike ndaj deputetëve të PD në parlament, moszbatimi dhe refuzimi i konsensusit për reformat e rëndësishme janë realiteti i përditshëm i politikës konfliktuale që ofron mazhoranca sot.

Z.Basha e siguroi z.Barroso se pavarësisht sfidave, Partia Demokratike mbetet e angazhuar vendosmërisht për të mbështetur pa kushte procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe për të ruajtur dhe konsoliduar standartet dhe normat europiane të demokracisë, lirisë dhe shtetit ligjor.