Partia Demokratike organizon konferencën për ekonominë ku analizohet përkeqësimi i të gjithë treguesve; Rritja e borxhit, rënia e dërgesave të emigrantëve, rënia e kreditimit, rënia e fitimit të kompanive, rritja e defiçitit tregëtar, konsumi më i ulët në 15 vite, rënia e kursimeve, mungesa e investimeve, humbja e vendeve të punës.

Partia Demokratike organizoi sot konferencën “300 ditë dështim në ekonomi”, ku u analizuan treguesit kryesor të financave dhe ekonomisë së vendit që kanë njohur përkeqësim. Në këtë tryezë ku ishin të ftuar përfaqësues nga dhomat e tregtisë, grupet e interesit dhe trupi diplomatik, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh se opozita do të luajë rolin e saj për të bërë transparente shifrat dhe të dhënat e ekonomisë. “Do të ndalemi tek transparenca me shifra dhe fakte duke iu referuar edhe burimeve zyrtare të kësaj qeverie, burime që tregojnë, edhe nga pikëpamja e shifrave zyrtare, një situatë shumë më të zymtë se sa çmundohet të shesë qeveria , se sa çmundohet të servirë dyshja Rama-Meta në auditorët e pafund të propagandës së verës”, tha Basha.

Në prezantimin hapës të konferencës, nënkryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, z.Ridvan Bode theksoi setë gjithë treguesit ekonomikë të vendit janë të rënie, që nga investimet e brendshme dhë të huaja, kreditimi dhe mbi të gjitha ka një rënie tepër të ndjeshme të konsumit. Duke analizuar të gjithë treguesit ekonomike dhe financiar, z Bode u shpreh se burimet financiare janë zvogëluar ndjeshëm dhe pavarësisht se qeveria ka marrë një borxh rekord, rezulton se nuk ka qënë aspak i dobishëm për ekonomisë shqiptare. “Konsumi përbën mbi dy të tretat e Prodhimit të Brendshëm Bruto që prodhohet në ekonominë tonë dhe konstatohet fare lehtë nga INSTAT se rritja e konsumit është më e dobëta e viteve të fundit. Konsumi në pjesën e hidrokarbureve është në nivelin më të ulët historik të 15 viteve të fundit. Rama gënjeu në deklarimin e tij publik për 300 ditët e para kur tha se kemi rritur konsumin dhe mirëqenien për mbi 90% të shqiptarëve. Me vendosjen e taksës progresive tregtia e ushqimeve, e cila konsumohet prej kësaj shtrese është me një rritje zero krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si dhe me rënie absolute krahasuar me periudhën analoge të një viti më parë”, tha Bode. 

Sipas z Bode, ekonomia në tërësi është drejt rënies së lirë dhe pasojat po fillojnë ti vuajnë shqiptarët e thjeshtë duke humbur vendin e punës.

Ish kryeministri Sali Berisha analizoi punën e qeverisë në këto 300 ditë duke thënë se vendi po shkon drejt një rrokullisje ekonimike. “Ku jemi sot, para këtyre zhvillimeve dramatike? Nuk ka asnjë tregues të vetëm që të faktojë se ekonomia po rritet. Cdo tregues serioz tregon se ekonomia është në pikiatë. Por ka një njëri, i cili është nulitet absolut në ekonomi, që përveç bojërave nuk njeh asgjë mbi tokë, dhe që u thotë shqiptarëve se rritja reale e juaja është më e madhe se rritja nominale, se rritja nominale është negative por realja ama është pozitive. Por kjo të nderuar zotërinj mund të ndodh vetëm nëse Adriatiku bëhet naftë. Po edhe atë ja gjen Koçoja vendin se Koço tani është kryespecialisti i naftës. Pse kjo rrokullisje? Kjo rrokullisje sepse janë atakuar themelet e lirisë ekonomike”, konstatoi Berisha.

Deputeti Edmond Spaho analizoi të dhënat e buxhetit duke vënë në duke rritjen e madhe të borxhit publik. “Sot pas 300 ditesh qeverisje e verteta flet ndryshe. Borxhi publik u rrit ne harkun e disa muajve me rreth 1.5 miliard dollare duke kaluar kufirin prej 70% të PBB kurse deficiti  buxhetor për vitin 2014 u planifikua për herë të parë mbi 5% të PBB.  Premtimi për uljen e taksave mori kahje të kundërt duke rritur brenda një periudhe të shkurter kohe tatimin mbi fitimin me 50%, akcizat për disa produkte baze, taksën e qarkullimit si dhe duke dyfishuar taksën e pasurise”, tha Spaho.

Deputeti Genc Ruli u fokusua në sektorin e bujqësisë dhe deklaroi se skemat po prishen dhe se deklaratat e kryeministrit janë naïve për këtë sektor. “Që kryeministri yne nuk di asgjë konkrete nga bujqësia apo nga ekonomia , kjo nuk vlen me as për barcalete politike. Por mund t’ia kishin thënë të paktën këshilltaret e shumtë të tij se skemat e mbeshtetjes së fermerve si dhe Agjensia e Pagesave(AZHBR) që i menaxhon ato, janë ngritur në 2008 te nxitura dhe të asistuara nga Komisioni Europian, si detyrim i përshtatjes graduale të tyre me politikat e BE në fushën e mbështetjes së bujqesise (CAP). Vallë, 50 miliard euro ne vit qe BE jep per mbeshtetjen e sektorit bujqesor në formën e granteve, janë “lemosha per mbijetese. Rama nuk tha se çfarë konkretisht ka bërë qeveria e tij më ndryshe apo më shumë nga qeveria parardhëse për bujqësinë. Nuk pati asnjë fakt real për të përmendur: as edhe nje kilometër të ri rruge rurale, as edhe nje ujësjellës fshati , as edhe një kilometër të ri kanali ujitës apo kullimi, të ndërtuar pikërisht në 300 ditët e rilindjes”, tha Ruli.

Deputeti Florian Mima e cilësoi si tragjikomedi situatën me taksat. Sipas tij, shqiptarët po paguajnë më shumë dhe xhepat e tyre po zbrazen dita ditës.  “Tragjikomedia e taksave deri me sot na ka shfaqur dy akte te saj.  Me siguri ajo do te vazhdoje e ndoshta ne nuk kemi pare asgjë akoma. Në aktin e parë u cmontua plot urrejtje taksa e sheshtë, nje xhevahir në kuroren fiskale shqiptare, u rrit tatimi korporativ, u rrit kontributi i sigurimeve shëndetësore, u rritën akcizat, u rrit taksa e qarkullimit, u rrit… e c’nuk u rrit… të gjitha u rritën por kryeministri ynë rilindas aspak socialist thotë se taksat u ulën per 97% të shqiptareve. Shqiptaret le të fusin dorën në xhepat e tyre dhe pasi të numerojne kacidhet që u mbeten pas pagimit të taksave të zgjedhin vetë se cilin do të besojnë: xhepin e tyre që po mbetet bosh e me bosh, apo kryeministrin e tyre që po rreket t’i ngopë me luge bosh”, tha Mima.

Duke qendruar tek zhvillimi ekonomik, deputetja Jorida Tabaku analizoi të dhënat zyrtare për punësimin. Sipas saj, premtimi për 300 mijë vende punë është krejtësisht demagogji ndërsa janë humbur shumë vende pune. “Çfarë ka ndodhur me rritjen ekonomike?! Nga të dhënat vërejme një rënie nominale në prodhim me 10%, fushën e transportit 24% dhe në atë të ndërtimit me 5.3%! Nëse kemi rënie ekonomike në këto 3 sektorë dhe nëse kemi 7470 vende të humbura pune në këto 3 sektorë, atëherë ku ka ndodhur rritja e vendeve të punës? Cili është sektori që po drejton ekonominë tonë dhe po stimulon rritjen?”, tha Tabaku.

Në tryezën e organizuar nga opozita, diskutuan edhe përfaqësuesit e bizneseve. 

Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Enver Ferizaj kundërshtoi skemat e qeverisë në subvensionimin e qeverisë. “Nuk po realizohen invesime në bujqësi çka do të ndikojë në uljen e ritmit të prodhimit. Me skemat e reja përfitojnë shumë pak fermerë”, tha Ferizaj. Ndërsa kreu i Dhomave të Tregtisë Ilir Zhilla vuri theksoin tek klima jo e mirë për të bërë biznes pasi sipas tij, akuzat pa takt të qeverisë ndaj sistemit të drejtësisë po ndikojnë negativisht tek investitorët.

Përfaqësuesit e biznesit të vogël dhe përfaqësuesit e industrisë së veshjeve dhe fasonëve vunë theksin tek ulja e konsumit dhe rritja e taksave duke thënë se po penalizohen rëndë dhe Shqipëria po humbet avantazhin e investimeve në këtë industri.

“Po ju jap një shembull që e kam prekur dhe parë vetë. Një miku im, pas disa muajs

h emigracion, pasi theu edhe afatet e emigrimit, u kthye dhe hapi një biznes të vogël të tregtisë së këpucëve. Ka dy muaj që ka hapur dyqanin dhe tani do e mbyllë pasi nuk shiti asgjë, se njerëzit po riparojnë këpucët që kanë dhe nuk po blejnë asgjë. Ky nuk është shembull i vetëm, dhe besoj se të gjithë dini shembuj të tillë pafund. Sepse njerezit hapin biznese për të mbijetuar, dhe nuk po mbijetojnë”, u shpreh përfaqësuesi i biznesit të vogël.

“Kohët e fundit kemi folur me të gjithë opinion ekonomik e politik për miratimin e paketës fiskale ku kemi kundërshtuar shumë rritjen e tatim fitimit apo edhe taksave të tjera. Si sektor mjaft i rëndësishëm, duhet të paktën të mbanim nivelin e vendeve konkurente në rajon. Si presion i vazhdueshëm i këtij sektori u përgezua dhe miratua një paketë me lehtësira fiskale për këtë sektor por cfarë kishte në të vërtetë në thelb kjo paketë? Asnjë nga kerkesat tona nuk u miratua nga qeveria, në mungesë serioziteti”, u shpreh z.Hoxha ne emër të industrisë së fasonëve.

“Ne përfaqësojmë një fond prej 250 milionë eurosh të investuara. Por fatkeqësisht shumë shpejt e gjetëm veten përballë shumë akuzave në 100 ditët e para të qeverisë. U akuzuam që jemi e keqja e këtij vendi, u akuzuam që po rrënojmë buxhetin e shtetit, u akuzuam se po rrënojmë të ardhurat e Korporatës Elektroenergjitike, dhe në fund që ne po shkatërrojmë ekosistemin dhe ambjentin në Shqipëri. Asgjë nuk është e vërtetë nga këto. U njohëm pak ditë më parë me raportin dhe analizën që bëri qeveria dhe fatkeqësisht konstatuam se kjo strategji ka rritur penalitetet për koncensionarët”, u shpreh Shkëlqim Përluku nga Shoqata e Prodhuesve të Energjisë.

Përparim Kalo i Shoqatës së Bizneseve të huaja u shpreh se ka evidentuar 8 pika me rëndësi lidhur me premtimet e qeverisë, të cilat nuk po mbahen. Ndërsa përfaqësuesi i shoqatës së investimeve në energji, u shpreh i indinjuar që ky sektor po godit ashpër nga ana e qeverisë pa pasur asnjë arsye bindëse apo ndonjë platform për këtë sektor jetik në ekonomi.

Në konkluzionet e kësaj konference për ekonominë, Kryetari I Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh se: “Prania e grupit parlamentar të Partisë Demokratike në këtë tryezë , sikundër në dy tryezat paraardhëse dhe në tryeza të tjera që do të organizohen në ditët në vijim, është tregues i qartë i angazhimit të plotë, 24 orë në ditë, të Opozitës Shqiptare për të kryer misionin e saj edhe në kushtet e pengesave të panumërta dhe mohimit të hapësirës institucionale dhe kushtetuese në Kuvendin e Shqipërisë. Por misioni ynë kryesor është, përmes këtyre tryezave, të tregojmë sëbashku gjendjen reale të Shqipërsië. Shqipërinë e së vërtetës. Shqipërinë e të vërtetave, ashtu si e prekin shqiptarët në jetën e tyre të përditshme, jashtë kësaj salle, jashtë këtij qyteti, kudo në fshatrat, komunat, qytetet e Shqipërsië, kudo jetojnë”.

Duke u ndalur edhe një herë tek tiparet e ekonomisë në këto 300 ditë, Basha tha se: “Ekonomia është në ditën e saj më të zezë. Një ekonomi e dobët dhe një e ardhme e pasigurtë janë shqetësimi kryesor i shqiptarve sot. Që kjo është gjendja nuk ka nevojë, as për statistika dhe as për referime. Por që kjo gjendje është e demonstruar edhe në vet shifrat e qeverisë që tregojnë rritje të borxhit, rënie të dërgesave të emigrantëve, rënie të kredisë, rënie të fitimit të kompanive, rritje të defiçitit tregëtar, konsumin më të ulët në 15 vite, pra rënie drastike të konsumit, rënie të kursimeve. Aspektet e dhimbshme të kësaj rënie të gjithanshme, i prekim, i shohim në komunitet, në lagjet tona, në fshatra, Komuna, në Bashki. Statistikat e Ministrisë së Brendshme tregonin një dyfishim të vetvrasjeve gjatë këtij 300 ditëshi dhe ndonëse kjo u bë prezente gjatë tryezës së Rendit, unë insistova dhe insistoj se kjo shifër ka të bëjë pak me rendin dhe gjithçka me ekonominë dhe gjendjen sociale në vend. Dyfishimi i vetvrasjeve dhe i tentativave për vetvrasje në këto 300 ditë është një kambanë alarmi që i bashkëngjitet zgjatjes dhe shumëfishimit të listave nëpër dyqane, nga Sheshi Skënderbej tek periferia e kryeqytetit, nga qytetet në fshatërat dhe komunat e vendit. Ja pra, ilustrime të dhimbshme që dalin përtej konstatimit faktik dhe shkencor se konsumi ka rënë dhe vazhdon të bjerë. Kjo është situata dhe këtë situatë nuk mund ta ndryshojë aspak propoganda, madje as ai investim që bëhet me lekët e taksapaguesëve shqiptar nëpër billborde”