Kryetari i PD Lulzim Basha mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të PD-së në Pukë.

Zoti Basha e ka cilësuar të papranueshëm fjalorin dhe fyerjen që kryeministri i vendit iu bën pareshtur punonjësve të shtetit shqiptar, ndërsa ai ka ofruar standardin më të keq duke përfshirë në poste drejtuese dhe në administratën e vendit njerëz me precedent kriminal e me diploma fallco. Kjo mazhorancë, tha zoti Basha, ka demostruar shkallën më të lartë të korrupsionit, atë politik me shitblerjen e votave në Korçë. 

“A nuk je ti që ke emëruar njerëzit e skutave më të errëta të krimit, drejtues në poste të rëndësishme të administratës. Që ke emëruar të dënuarit për drogë, që ke emëruar dhe ke zgjedhur të kërkuarit për rrëmbim fëmijësh në poste drejtuese të administratës. Ti që akuzon drejtësinë për korrupsion, a nuk je ti që demonstrove shkallën më të lartë të korrupsionit ?!  Korrupsionin politik me shit-blerjen e filmuar të votave në Korçë dhe që pastaj e mbylle çështjen duke e amnistuar. Dhe që sot i mohon opozitës të drejtën për transparencë që ia ka dhënë Kushtetuta e sovrani me komisione parlamentare hetimore. Ti qe akuzon drejtesine per korrupsion, a nuk je ti qe me njerezit e tu vodhe serverin e te dhenave tatimore dhe prap mohove transparencen parlamentare ?!”, tha Basha. 

Duke u ndalur tek procesi zgjedhor në të cilin është përfshire PD, zoti Basha ka garantuar se vota do të jetë në themel të procesit të vendimarrjes në këtë parti. 

“Vota e lirë e anëtarëve për çdo vendimarrje të rëndësishme nuk mund dhe nuk duhet të jetë më kurrë objekt diskutimi hamendësimi por është dhe mbetet objekt dhe subjekt i një procesi transparent me standard europian të paprecedent deri sot në Shqipëri, dhe më pak shokë ne Europën Juglindore”, tha Basha.