Deputeti demokrat kërkon që Kuvendi të zbatojë menjëherë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ngritjen e komisionit hetimor për skandalin e vjedhjes së të dhënave tatimore

 

Këshilli i legjislacionit sot u mblodh, në mbledhjen e tij të dytë, për të shqyrtuar relacionet e përgatitura në lidhje me ngritjen e komisionit hetimor për çështjen e serverave të tatimeve. Siç e dini ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që ka bërë nul vendimin e Kuvendit që refuzoi kërkesën tonë për ngritjen e komisionit hetimor. Për fat të keq ajo që duhet të denoncoj sot është që pas një akti skandaloz, një skandali i cili do të kish rrëzuar çdo qeveri demokratike siç ishte ai skandal në lidhje me vjedhjen, kopjimin dhe zhdukjen e miliona të dhënave dhe deklaratave sensitive të biznesit shqiptar nga përfaqësuesit më të lartë, të emëruar apo të zgjedhur të ekzekutivit dhe të parlamentit, pas një tentative të papranueshme dhe të turpshme për ta çbërë këtë kërkesë, duke e rrëzuar në mënyrë antikushtetuese, sic tha vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kemi një një tentativë të re për të penguar transparencën. Edhe pse tashmë ka një vendim Gjykate i cili është në fuqi dhe është i detyrueshëm për zbatim menjëherë nga Kuvendi, sot ne patëm një tentativë të re për ta vonuar dhe mundësisht për ta bllokuar kërkesën e opozitës.

Argumentet e tyre vetëm në ligj nuk bazohen. Ajo që sot mbetet imperative është që sot ka një kërkesë të grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për të cilën nuk është investuar Kuvendi ligjërisht. Është detyrë urgjente e Kryetarit të Kuvendit që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi bazën e nenit 132 të Kushtetutës dhe Kuvendi të ngrejë menjëherë këtë komision hetimor. Kryetari i Kuvendit tashmë nuk mundet të vazhdojë dhe të krijojë proçedura të tjera që pengojnë ngritjen e këtij Komisioni. Eshtë detyrim dhe çdo tentativë tjetër nuk bën gjë tjetër veçse e vendos në antikushtetuetshmëri këtë mazhorancë dhe konfirmon më tej mpleksjen, përfshirjen e drejtëpërdrejtë të mazhorancës në këtë mega skandal qeveritar siç ishte zhdukja e miliona deklaratave. Është në detyrimin e tyre kushtetues, jo në nderin e tyre, që të bëjnë transparencë, ta lejojnë opozitën që të hetojë me instrumenta parlamentare siç përcakton Gjykata Kushtetuese dhe të bëjë transparencë për Shqiptarët për këtë skandal.

Uroj që në ditët në vijim, pra menjëherë Kryetari i Kuvendit ta fusë në axhendë. Ne do të depozitojmë sot menjëherë kërkesën që Kryetari i Kuvendit, pa vonesë, të proçedojë dhe të vërë në kalendarin e  punës dhe në axhendën e seancës të ardhshme plenare kërkesën e opozitës për ngritjen e Komisionit.