Fjala në Kuvend e deputetit të PD Oerd Bylykbashi

 

Z. Kryetar

Të nderuar kolegë,

 

Sapo degjuam konluzionin e një farse qeveritare. Degjuam një raport vërtet të turpshëm të një komisioni që shqiptarët e kanë quajtur komisioni i mushkonjave anofele. Sigurisht, askush nuk priste që komisioni marionetë qeveritar, për  përgenjeshtrimin e akuzave të opozitës për rritjen e trafikut të drogës të hetonte qeverinë.

 

Ky është komision qeveritar, sepse askush me arsye dhe inteligjencë mesatare, qoftë edhe socialist, nuk beson se ky komision do të hetonte rolin e qeverisë socialiste në rritjen e narkotrafikut, por do mbronte qeverinë. Do të zbatonte urdhërin e Kryeministrit dhe pikë.

 

Është farsë se vetë kërkesa e mazhorancës për ngritjen e komisionit e zbulon atë. Dëgjoni: “ky komision do të jetë një garanci për përgënjeshtrimin e akuzave të ngritura nga opozita…”. Kjo është ajo që shkruhet në kërkesën e mazhorancës për ngritjen e komisionit.

 

Kjo është e paprecedent. Komision hetimor që ka për qëllim përgënjeshtrimin dhe jo hetimin e një problemi. Kjo bie ndesh me nenin 77 të Kushtetutës që kërkon hetim parlamentar dhe jo përgënjeshtrim parlametar. Madje më keq, synim i hetimit qeveritar është opozita që ka denoncuar dhe jo problemi i narkotrafikut.

 

Të paktën atë që e shkruajtën në kërkesë, ta kishin ruajtur për konkluzionet e raportit. Jo, konkluzionin e vendosën në kërkesë dhe pastaj kanë shkruar raportin.

 

Gjykata Kushtetuese e thotë troç: hetimi parlamentar është instrument kontrolli i opozitës mbi qeverinë. Nuk është mjet kontrolli i qeverisë mbi opozitën. Ky raport sot provon se edhe në këtë pikë, qeveria dhe mazhoranca shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por kjo nuk përbën më risi.

 

Ky komision i ngordhi në bark kësaj mazhorance pa lindur ende. Ngordhi më 10 maj kur një dunë rëre i theu rrotën avionit dhe një dunë tjetër i dogji friksionin fuoristradës së narkotrafikut. Atë ditë çdo lloj sharlatanizmi që do të shkruante më pas mazhoranca, nuk mund të përgënjeshtrontë as avionin, as makinën as qindra kilogramët e drogës, dhe as trafikantët e arrestuar. 

 

U mblodhën pesë deputetë të mazhorancës dhë shkruan me porosi një raport përgënjeshtrues. Edhe shqiptari më skeptik, sot qesh me këtë raport. Qesh, sepse i kujtohet avioni.

 

Ndërkohë që me këtë komision marionetë sajonit prova, ju nga ana tjetër i mohuat opozitës të drejtën kushtetuese të hetojë fenomenin e rritjes së narkotrafikut. Përsëri shkelje e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ai komision do hetonte problemin, po juve nuk donit hetimin por përgënjeshtrimin. Dhe e rrëzuat kërkesën se kështu urdhroi Kryeministri.

 

 

Të ndalemi pak te faktet bazë që sjell ky raport:

1.  Dëshmitë e banorëve të Gjadrit për ulje avionësh pas 15 shtatorit janë të turbullta, të pasakta, megjithatë nuk rezultojnë të jenë bërë seanca dëgjimore me ta.

2.  Rojet nuk kanë parë avion të ulet.

3.  Kanalet që rrethojnë pistën ishin të paprekur. Guriçkat mbi pistë nuk përmenden më.

4.  Por sapo ka ardhur Rama në qeveri, një dëshmitar anonim qeveritar dëshmon se trafiku ka ndodhur vetëm në kohën e PD.

5.  Se kjo dëshmi është e vetmja dëshmi e saktë.

6.  Se në kohën e PD uleshin e ngriheshin avionët por dëshmitari nuk jep data.

7.  Shënime në dokumentacion nuk ka, por komisioni njëherë thotë që nuk ka shënime, pastaj thotë janë zhdukur, dhe përpiqet të përcaktojë kohën e uljeve sipas dëshmitarit, me periudhën kur nuk ka shënime.

 

Konluzion 1: nën qeverisjen e Ramës nuk ka patur krisma. Madje as narkotrafik.

Konkluzion 2: trafik na qenka bërë vetëm në kohën e Saliut.

 

Kjo është qesharake.  Zotërinj të mazhorancës, po ju shpërthen hashashi rrugëve, ka thyer traun e doganës tokësore, asaj detare dhe ajrore. Po alarmoni polictë fqinje po edhe më larg, se kamionët po arrijnë Hollandën e Gjermaninë.

 

Narkotrafiku mori guximin ta bëjë Shqipërinë pikë logjistike edhe nga ajri. Dhe ministrat përgjegjës thonë ka zero fakte, Kryeministri tallet, ndërsa dëshmitarët dhe gazetarët friksohen, ndërkohë që avioni u mbeti në dorë si dopiogjashtë. Ndërsa ky komision marionetë e Kryeministrit kërkon që t’i mbyllë gojën opozitës.

 

Fakt:

Rastet e kapura nga policia (sepse policit profesionistë vazhdojnë e përballen me krimin): janar 96 raste, shkurt 90, Mars 121, prill 141 dhe ne maj 2014 janë 149 raste. Në total 597 raste. Duket qartë trendi rritës deri kur u përplas avioni në rërën e Divjakës.

Janar-shtator 2013 (nëntë muaj), policia italiane sekuestroi vetëm 3.120 kg hashash. Në periudhën janr-prill 2014 (katër muaj) 9.730 kg, pra më shumë se trefish sasi e kapur për më pak se gjysmën e kohës nën qeverisjen e PD.

Janar-shtator 2013 (nëntë muaj), policia greke sekuestroi vetëm 4.300 kg hashash. Në periudhën janr-prill 2014 (katër muaj) 13.000 kg, apo 13 tonë, pra trefish e sasisë së kapur për më pak se gjysmën e kohës.

 Pra gati 600 raste të kapura në Shqipëri, me rritje të dukshme gjatë periudhës kur opozita filloi denoncimet ndërsa qeveria krijonte alibi. Sigursht policia do bëjë punën paçka se Ministri ka rikthyer në polici persona të lidhur me narkotrafikun.

  Pra vetëm 7.5 tonë për nëntë muaj në 2013 është kapur nga fqinjët, dhe 23 tonë në vetëm katër muaj në 2014 nën qeverisjen e Ramës. Me këtë ritëm, deri në shtator do arrini rekorde tek fqinjët, me siguri ata do të kenë regjistruar 45 mijë kg apo 45 tonë, pra gjashtë fish e asaj që fqinjët kanë kapur në janar-shtator 2013.

 Deri sa e lamë ne pushtetin, policia shqiptare kapte më shumë drogë sesa kapnin policitë fqinje drogë që vinte nga Shqipëria. Tashmë raporti është përmbysur rrënjësisht. Më shumë kapin ata se policia jonë, madje janë në alarm.

 Prokurorët antimfia në Itali po e quajnë përsëri Otranton si një autostradë droge. Media greke flet për një luftë të pashpallur në kufi me kartelin e narkotrafikut shqiptar. Në kaq pak kohë po na riktheni në fokusin e shqetësimeve të fqinjëve.

 Me rritjen e kapjen e rritur të sasive në Itali e Greqi, mos do i mbushni mendjen shqiptarëve se ministrat e brendshëm të italisë dhe greqisë marrin përditë në telefon ministrin tonë të brendshëm dhe e pyesin për të marrë shembull, prandaj tani janë bërë më efikasë?! Shpresoj që Ministri shprehjen “Bravo çuna” të mos e kthejë në “Bravo ragazzi” se ndoshta kanë nevojë për inkurajim policët përtej detit.

 Kursejani këto sharlatanizma shqiptarëve se po bëheni qesharakë!

 Fakt është se ne ulëm në ënyrë të qëndrueshme kultivimin dhe trafikimin përgjatë viteve 2009-2012. Vumë moratoriumin e skafeve i cili funksionoi. E bëmë të vështirë kultivimin duke prerë furnizimin me ujë dhe penguar krahun e punës. Për rrjedhojë, stoqet u mbetën në dorë dhe humbën vlerën. Pra, mbjellje kishte por ne luftuam narkotrafikun.

 Pa këtë luftë dhe ato rezultate, nuk ia hiqte njeri Shqipërisë vizat në Shengen dhe as nuk e propozonte Komisioni Europian dy herë statusin. Ose të paktën do të vendoste si kusht rritjen e luftës ndaj narkotrafikut. Në Tetor 2012, rekomandimi për statusin kishte kusht vetëm 3 ligjet ndërsa në tetor 2013 nuk kishte asnjë kusht.

 Kur nën qeverisjen tonë nuk trafikohej më me skafe dhe ishte e vështirë ta bëje nga kufir

i tokësor, as që mund të bëhej nga ajri. Prandaj nuk kishte raportime atëherë, sado i fabrikoni ju sot me policinë ushtarake të Ministres së Mbrojtjes.

 Sot ka shpërthyer trafiku nga toka dhe deti, madje ju propozuat heqjen e moratoriumit, dhe sigurisht që narkotrafikantët nën alibinë që ju krijuat me mickonja anofele, morën guxim dhe përdorën Gjadrin, Bedatim, Divjakën dhe Kardhiqin. Çfarëdo të thotë pseudo-komisioni hetimor, ata i kanë parë avionët e narkotrafikantëve.

 Ky fenomen është rritur jashtë mase. Nën presionin e opozitës, mediave, opiniont publik dhe ndërkombëtarëve, qeveria është e detyruar të marë masa.

 Por habia më e madhe janë deklaratat e djeshme të Ministrit të Brendshëm. Pasi takoi ambasadorët, doli e tha se lufta ndaj narkotrafikut nuk është vetëm çështje e policisë, por edhe e shoqërisë dhe kërkon bashkëpunim të ndërkombëtarëve.

 Zoti ministër, shqiptarët janë kundër narkotrafikut e mos i bëj ata me faj për dështimet e tua, përfshirë emërimin në poste kyçe në polici të përsonave të lidhur me narkotrafikun.

 Shpresoj të mos u kesh thënë ambasadorëve se fajin e kanë shoqëritë europiane që pijnë hashashin shqiptar. Ashtu siç tha Kryeministri në Holandë se Shqipëria ka prostituta sepse në Evropë ka prostitucion.

 Po e mbyll duke perifrazuar shprehjen e një filmi: Zoti Kryeministër, mjaft me këto dokrra se po ju qeshin edhe çakejtë ndër male!