Kryetari Basha takon përfaqësues të lartë të Bundestagut gjerman

  

 

 

 

Kryetari i Partisë Demokratike z. Lulzim Basha, u prit sot në një mëngjes pune nga dr. Andreas Schockenhoff, nënkryetar i grupit parlamentar për politikën e jashtme i CDU-CSU, në Bundestag, i shoqëruar nga Roderich Kiesewetter, raportues për Shqipërinë i grupit parlamentar CDU – CSU. 

 

Po sot Kryetari i Partisë Demokratike u prit në një takim të veçantë edhe nga Kryetari i Komisionit për çështjet e BE, në Parlamentin gjerman, z. Gunther Kirchbaum. Gjatë bisedës, kryetari i opozitës falenderoi përfaqësuesit e shumicës parlamentare të CDU – CSU në Bundestag për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në rrugën e integrimit europian të saj.

 

Z. Basha theksoi se PD është e vendosur të mbështesë pa asnjë rezervë dhe pa kushtëzim integrimin europian të Shqipërisë, gjë që e ka dëshmuar gjatë gjithë këtyre muajve. 

 

Z. Basha kërkoi mbështetjen e Gjermanisë për një vendim pozitiv në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian për marrjen e statusit.

 

Përpjekjet shumëvjeçare dhe reformat e ndërmarra bënë të mundur rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian për tre vite me radhe. Ndonëse bllokimi absurd i miratimit të tre ligjeve nga ish – opozita socialiste, e drejtuar nga z. Rama, u kthye në një pengesë dhe vonesë për çështjen e statusit. “Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë statusin”- theksoi z. Basha.

 

Bashkëbiseduesit vlerësuan qëndrimin e kryetarit Basha dhe PD, për mbështetje të pakushtëzuar për integrimin europian të Shqipërisë si dhe punën e bërë nga PD, gjatë qeverisjes së vendit, për realizimin e reformave të rëndësishme që bënë të mundur rekomandimet pozitive për marrjen e statusit.

  

“Me shqetësim po ndjekim edhe situatën, në raport me shkarkimet masive në administratën publike të nëpunësve të trajnuar, edhe me kontributin e taksapaguesve gjermanë dhe të BE” –  theksuan bashkëbiseduesit gjermanë.

   

Duke iu referuar situatës aktuale, zyrtarët e lartë gjermanë theksuan se respektimi i shtetit ligjor dhe zbatimi i vendimeve të gjykatave, respektimi i institucioneve të pavarura dhe garantimi i hapësirës institucionale për opozitën si dhe lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit janë standarde europiane të panegociueshme.

Në takime u diskutua për forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy partive simotra CDU dhe PD.