Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij kanë kryer homazhe në nderim të Artan Santos, i cili u ekzekutua një ditë më parë në zonën e ish – Bllokut.

“Sot i japim lamtumirën Artan Santos, një miku, një qytetari, një punëtori të palodhur e të mençur të sipërmarrjes së lirë të kryeqytetit e Shqipërisë, një drite shprese për shumëkënd, një miku të madh të artit dhe artistëve, një babai, një bashkëshorti, një biri.

Ngushëllimet e mia më të ndiera për familjen e Tan Santos! Uroj që Zoti t’ua lehtësojë dhimbjen e padurueshme e t’i lërë vetëm me kujtimet e mira të të shtrenjtit të tyre. Ishte një krim makabër, një mizoritet mafioz, në zemër të bashkëjetesës tonë, këtu në Tiranë, i hartuar dhe ekzekutuar me parametrat e një akti terrori, për të ngjallur terror e frikë.

Si i tillë, do të shërbejë si një thirrje e madhe qytetare, si një ngritje në këmbë, për t’i dalë përpara e për ta ndalur të keqen me çdo kusht.” – u shpreh z. Basha.