Zëdhënësja e PD Laura Vorpsi reagon pas ngjarjes tronditëse në vendosjen e eksplozivit ndaj zonjës arkitekte

Një ngjarje e rëndë kriminale, e pahasur më parë ka ndodhur në autostradën kryesore të vendit, Tiranë-Durrës. Atentati me eksploziv ndaj arkitektes Entela Çano, që për fatin e mirë nuk ia mori jetën, është një thirrje alarmi për situatën e rendit dhe sigurisë në vend, që sa vjen e përkeqësohet. Eksplozivi i djeshëm ka prishur qetësinë e të gjithë qytetarëve të vendit, pasi kur organizohet ekzekutimi i një gruaje në mes të ditës, krimi ka marrë revanshin më të egër, dhe autoriteti i policisë dhe i shtetit është në kuotat më të ulëta. Partia Demokratike është e shqetësuar për këtë klimë kriminale në vend, që nuk kursen më askënd, as gratë, as fëmijët. Kjo ngjarje dëshmon dhe një herë dështimin e Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm për vendosjen e rendit dhe qetësisë në vend. Kriza e rendit, është e lidhur me paligjshmërinë që buron në kupolën e Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit. Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit të marrë masa të menjëhershme. Nëse ai nuk ofron dot siguri për jetën e qytetarëve në vend, atëherë ai nuk është në gjendje të bëjë detyrën më parësore që i është ngarkuar nga Kushtetuta dhe nga qytetarët shqiptarë.