Deklaratë e deputetit të PD Aldo Bumçi që i kërkon Prokurorisë të nisë hetimet për akuzat e Gjergji Thimio në sallën e gjyqit

 

 

 

Partia Demokratike kërkoi dy ditë më parë që Kryeministri Edi Rama të mbajë qëndrim për akuzat e rënda të ngritura nga koleksionisti Gjergji Thimio përpara trupit gjykues. Kreu i qeverisë Rama, mentori i tij Koço Kokëdhima dhe koleksionisti i palegalizuar Lame nuk dhanë asnjë sqarim publik për këtë akuzë tronditëse në sallën e gjyqit. Gjergji Thimio u shpreh se deputeti Kokëdhima dhe Artan Lame kërkuan për kryeministrin Edi Rama një pikturë të rrallë të Onufrit me vlerë 1 milionë euro për këshilltarin e tij Toni Blair. Koleksionisti Thimio deklaroi se pjesë nga koleksioni i tij kanë humbur në inventarin e pikturave dhe ikonave duke akuzuar Ramën dhe Kokëdhimën për vjedhjen e tyre dhe inskenimin e arrestimit të tij për këtë qëllim. Kujtojmë se nuk është hera e parë që Edi Rama është akuzuar për akuza të kësaj natyre. Vite më parë kreu i socialistëve do ta akuzonte për tregti arti të trafikuar në Francë. Dëshmia e Gjergji Thimios merr vlerë pasi ishte një fakt botërisht i njohur që ai kishte në koleksionin e tij piktura dhe vepra të rralla. Ende sot nuk ka një sqarim zyrtar se çka ndodhur me këtë inventar si dhe numrin e veprave të sekustruar, numër i cili ka ndryshuar vazhdimisht. Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për këtë akuzë të Gjergji Thimios dhe të hetojë dëshminë e dhënë përpara trupit gjyqësor. Prokuroria duhet të shqyrtojë këtë dëshmi dhe të hedhë dritë mbi këto akuza. Këto akuza meritojnë një përgjigje nga Prokuroria dhe drejtësia shqiptare në një kohë që Edi Rama dhe mentorët e tij nuk denjojnë as të japin përgjigje për qytetarët shqiptarë.