Deklaratë e deputetit Edmond Spaho për mapinpulimin me Këshillin e Qarkut të Korçës

 

 

 

PS dhe LSI vazhdojnë maskaradën e blerjes së votave, duke deformuar vullnetin e votuesve në zgjedhjet e fundit lokale. Pas përdorimit të parave në zgjedhjet e 23 Qershorit dhe blerjes së votave në zgjedhjet e muajit nentor për kryetar bashkie në Korçë, rradha i ka ardhur ndryshimit me mjete jo ligjore të vullnetit të zgjedhësve në Qarkun e Korçës.

Këshilli i Qarkut Korçë ka 38 këshilltarë përfaqësues të PD dhe aleatëve të saj ndaj 33 këshilltarëve përfaqësues të PS dhe aleatëve të majtë. Katër këshilltarë të djathtë të Qarkut nga të cilët 3 kryetarë komunash të PD, të zgjedhur në këto funksione me votën e dhënë  nga qytetarët në zgjedhjet lokale të vitit 2011, deformojnë vullnetin e zgjedhësve duke ndryshuar balancën për zgjedhjen e Kryetarit të Qarkut Korçë nëpërmjet presioneve dhe ofrimit të përfitimeve personale.

Ky operacion pa dinjitet dhe i pështirë është kryer me miratimin dhe udhëzimet e dyshes Rama-Peleshi.

PD nuk ka pasur objeksione për ndryshime në pushtetin vendor të cilat kanë ardhur si rezultat i marrëveshjes politike midis PS dhe LSI. Nga këto aleanca ndryshuan balancat në mjaft njësi vendore midis të cilave edhe Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Ndryshe veproi PS e cila bllokoi për tre vjet me rradhë integrimin europian të vendit për shkak të ndryshimit të balancave në Këshillin e Qarkut Fier rrjedhojë e marrëveshjes politike midis PD dhe LSI në zgjedhjet e vitit 2009.

Rasti i Qarkut Korçë është shkatërrim i themeleve të demokracisë pasi të zgjedhur të një force politike kundërshtare blihen me mjete që të ofron pushteti.  Ai është provokacion i hapur ndaj opozitës dhe thyerje e rregullave  të lojës në një vend demokratik nëpërmjet blerjes dhe trafikimit të votave.