Zëdhënësja Vorpsi dënon përpjekjet e përsëritura të mazhorancës për të rehabilituar figurën e diktatorit

Mazhoranca ngriti dje grushtet lart dhe u përul para fotos së Enverit, duke kryer një akt të përsëritur, pervers dhe provokues ndaj shoqërisë shqiptare. Ritet e djeshme që shprehin adhurimin e dyshes Rama-Meta ndaj diktatorit, janë një sjellje armiqësore ndaj popullit, ndaj ndërgjegjes së kombit. Nderimi i figurës së Enverit dhe simboleve të tij, janë një fyerje dhe përbaltje e kujtimit të dhjetëra mijë shqiptarëve të persekutuar, të internuar, të burgosur të dënuar me vdekje, të pushkatuar pa gjyq. Dyshja Rama-Meta po shfrytëzojnë çdo rast, në mënyrë të përsëritur për të rehabilituar dhe rikthyer në jetën tonë, diktatorin më të egër të lindjes që privoi një komb të tërë nga liritë dhe të drejtat më themelore të njeriut, dhe që e shkëputi me dhunë vendin tonë nga familja europiane, duke e zhytur në zinë e bukës. Partia Demokratike e dënon ashpër këtë vijë politike të mazhorancës së majtë. Ne i kërkojmë dyshes Rama-Meta të heqë dorë një herë e përgjithmonë nga provokimi i qytetarëve shqiptarë me kujtimet më të këqija të së kaluarës, me plagën më të dhimbshme të shoqërisë sonë. Mazhoranca e majtë, Rama dhe Meta, le ta mbajnë idhujtarinë e tyre për Enverin në dhomën e gjumit, dhe mos të guxojnë ta bëjnë pjesë të protokollit dhe të skenës publike, vetëm e vetëm pse aktualisht qeverisin vendin. Koha e lavdisë ikën, dhe ikën shumë shpejt kur populli preket aty nuk duhet.