Deklaratë e deputetit Halimi/Organizatat e rëndësishme europiane, i përgjigjen shqetësimeve të Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe shprehen të gatshme të japin ekspertizën e tyre në procesin e amendimit ligjor

 

Institucione të rëndësishme të ndërkombëtare, në fushën e demokracisë dhe të ligjeve, janë shprehur të gatshëm të ofrojnë asistencën e tyre me ekspertë për çdo implikim të ligjeve që kanë të bëjnë me kontrollin e pasurive të pushtetarëve sepse për ta, paanshmëria e këtij institucioni është faktori kryesor në luftën ndaj korrupsionit. 

Në përgjigje të shqetësimit të Kryetarit të Opozitës, z.Basha, OSBE dhe Këshilli i Europës, kanë rikonfirmuar ne dy shkresa të veçanta, qëndrimin e tyre se ILDKP është një institucion kyç në luftën ndaj korrupsionit dhe është e rëndësishme që ai të funksionojë në mënyrë të pavarur.

Gjithë legjislacioni ekzistues i hartuar me ekspertizën e tyre të çmuar, në këto 11 vjet, ka parashikuar pavarësinë e drejtimit të këtij Institucioni, duke ia lënë Presidentit zgjedhjen e kreut të institucionit, dhe jo qeverisë.

Por Edi Rama ka vendosur ndryshe. Ai kërkon ta emërojë vetë kontrollorin e pasurive të tij, dhe të zyrtarëve të tij duke e bërë këtë me ligj, me forcën e kartonave të blerë edhe nga korrupsioni politik.

Me këtë akt, Edi Rama u ka thënë ministrave dhe zyrtarëve të tij të lartë, se ata duhet të shqetësohen se si ta vënë pasurinë, pasi për kontrollin e saj, do të kujdeset vetë Edi Rama.

Ky është momenti kur institucioni kyç në luftën ndaj korrupsionit, ka rënë.

Rama jo vetëm ka shkelur Kushtetutën, por në mënyrë të përsëritur ka refuzuar të dëgjojë zërin e publikut, të ekspertëve, të opozitës, dhe të partnerëve ndërkombëtarë, të cilët jo vetëm kërkojnë një ILDKP të jetë e pavarur nga qeveria, por shprehen të gatshëm të ofrojnë edhe asistencën e tyre në forcimin e mëtejshëm të rolit kontrollues dhe të paanshëm të këtij inspektorati

OSBE shkruan në përgjigjen drejtuar Bashës se është gati të ofrojë konsultën e saj për amendimet e veta, nëse kjo do ti kërkohet, nga Presidenti, nga qeveria ose Parlamenti.
Ky është një moment i artë për Edi Ramën, që ta ndalë revanshin ndaj institucioneve, dhe të hapë një këshillim të gjerë me opozitën, partnerët ndërkombëtaret dhe shoqërinë civile për të bërë përmirësimet e nevojshme ligjore.

Kapja e të gjithë institucioneve dhe zhdukja e hallkave të balancës dhe kontrollit, është në fakt instalimi i oligarkisë dhe i pushtetit të pakufishëm.
Pushteti absolut, është korrupsioni absolut.

Dhe kjo është dhe një arsye më shumë, për t’iu bashkuar zërit të protestës mbarëpopullore ndaj Edi Ramës.