Krahas zgjedhjes së drejtuesve të rinj, në të gjitha strukturat e Partisë Demokratike po zhvillohet dhe analiza për rezultatin e 23 qershorit.

 

 

 

Kryetari i PD, Lulzim Basha ishte i pranishëm në analizën e zhvilluar në seksionin nr. 1501 në Durrës, të Grupseksionit 1. Pas fushatës së suksesshme për regjistrimin dhe riregjistrimin e anëtarësisë së PD, sipas zotit Basha, ky është hapi tjetër vendimtar për motivimin, rinovimin dhe modernizimin e partisë. Në mbarë Shqipërinë, demokratët – tha zoti Basha – po diskutojnë me frymë kritike dhe autokritike, me frymë realiste dhe konstruktive, për të korrigjuar të metat e gabimet dhe për të shikuar përpara. Lideri i demokratëve ka qenë i qartë dhe i prerë në mesazhin e tij drejtuar anëtarësisë së PD, se vota është i vetmi pushtet që do të funksionojë në PD për të zgjedhur drejtuesit e rinj të kësaj partie. Z. Basha ka theksuar se nuk do të ketë në asnjë nivel të zgjedhjeve në parti seleksionim të kandidatëve. Kryetarët, sekretarët, anëtarët e kryesive, delegatët, të gjithë do të dalin nga vota e lirë e anëtarëve. “Nuk ka dhe nuk mund të ketë të preferuar të kryetarit apo të dikujt tjetër në këtë proces. Pushteti është i votës së anëtarëve të PD, ndaj edhe synimi ynë është të zgjedhim me votë më të mirët, më të aftët, më të përkushtuarit, më të ndershmit. PD nuk është parti e dikujt, nuk është parti e disave, është partia e të gjithë demokratëve. Çdo demokrat është pjesë e kësaj partie, ka aksionet e veta në këtë parti, çdo demokrat ka një votë në këtë proces, pavarësisht se çfarë pozicioni ka apo do të ketë në strukturat e PD” – theksoi kreu i PD. Kryetari i PD ka theksuar se gara është e hapur, ashtu siç është dhe Partia Demokratike për këdo që dëshiron t’i bashkohet, për të kontribuar për një opozitë të fortë sot dhe një Shqipëri të zhvilluar dhe europiane nesër.