Fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike në protestën e mbajtur para Kuvendit të Shqipërisë

 

 

 
Zonja dhe zotërinj
 
Demokrate dhe demokratë
 
Shqiptare dhe shqiptarë, burra dhe gra, të rinj dhe të reja
 
Qytetarë të lirë, mirëse keni ardhur në këtë tubim madhështor i cili përball sot si asnjëherë tjetër më parë të drejtën themelore të pushtetit sovran që quhet populli sovran shqiptar, me oligarkinë e drogës e cila po përpiqet ti bëjë gjëmën çdo shqiptari dhe shqiptareje. I hoqën dritat sepse kanë frikë nga zëri juaj. I hoqën dritat sepse nuk duan të dëgjojnë zërin tuaj. I hoqën dritat sepse tremben nga zëri juaj dhe nga ajo që shqiptarët kanë për të thënë.
 
Sot nuk dua të ndalem gjatë në gjëmën e rëndë që ka pasuar pas disa zullumeve të tjera të Edi Ramës, gjëmën e rëndë të narkotrafikut, të drogës me avionë, të drogës që nuk zvarritet më, që nuk hipet më në mushkë, as në makinë, apo në gomone, por ka kapur qiellin e Shqipërisë, dhe për këtë ju desh vetëm 9 muaj të qeverisjes së tij.
 
Shqiptarët e ndershëm, burrat dhe gratë, nënat dhe baballarët e këtij vendi, të rinjtë dhe të reja, ndihen të sfiduar, të tallur dhe të kërcënuar në përpjekjen e tyre të përditshme të sigurimit të bukës së gojës me djersën e ballit, të sigurimi të së ardhmes së fëmijëve të tyre me punën e ndershme. Nga tallja, kërcënimi dhe rreziku i atyre që duan ta shndërrojnë këtë tokë, këto qytete dhe fshatra, këto rrugë dhe këto sheshe në prona të drogës.
 
Kërcënimi është akoma më i madh sepse karteli i drogës, bosët dhe baronët e drogës, janë ata që para zgjedhjeve të kaluara e bënë planin e tyre ogurzi dhe sot e kanë vënë në lëvizje dhe plani i kartelit të drogës është të blejë zgjedhje pas zgjedhjesh, të blejë pushtetin, të blejë ajrin, tokën, ujin, të blejë liritë e shqiptarëve, të blejë demokracinë e shqiptarë, të blejë gjithçka të mirë që kemi në këtë vend.
 
Plani i tyre ogurzi është që të rrënjosin dhe të konsolidojnë përmes përfshirjes, mashtrimit dhe shurdhërisë të atyre që janë brenda, oligarkinë e drogës në vend të lirisë dhe demokracisë për shqiptarët. Por nuk do të mundin, nuk do të mundin sepse shqiptarët janë më të fortë dhe më të bashkuar se kurrë.
 
Një përgjegjës ka këtu. Populli e di që ky është Edi Rama, i cili ka dy muaj që gënjen dhe mashtron shqiptarët për të fshehur të vërtetën tronditëse të narkotrafikut dhe drogës me avionë.
 
Populli nuk ka mundësitë dhe instrumentet për të kontrolluar trafikun e drogës. Qytetarët e kanë parë, qytetarët e kanë denoncuar, qytetarët kurajozë kanë folur edhe kur janë kërcënuar, gazetarët dhe mediat po kështu dhe shumë punonjës të ndershëm të shtetit që kanë bërë detyrën e tyre para shoqërisë dhe vendit.
 
Por populli ka një tjetër mundësi, qytetarët shqiptarë kanë një tjetër mundësi, ka një tjetër instrument që njeriun përgjegjës për këtë situatë ta çojë në shtëpi dhe bashkë me të edhe kartelin e drogës.
 
Që kur ky çast fatkeq në historinë e kësaj toke dhe këtyre njerëzve trokiti, që kur u dhanë indikacionet e para, denoncimet e para, akuzat e para për trafik droge përmes ajrit, Edi Rama nuk ka bërë gjë tjetër vetëm është munduar ta fshehë, ta justifikojë, të mashtrojë, të fshehë krimin që në doktrinën politike, kjo pra, fshehja e krimit, është më e rëndë se vetë krimi.
A nuk ishte ky që u tall dhe u përqesh me denoncimet e opozitës dhe ju tha keni parë mushkonja?!
 
A nuk ishte ky që shpërndau ministrat e tij bashkëfajtorë për të bindur shqiptarët se kishin parë ëndra dhe jo fakte?!
 
A nuk ishte ky, që mbrëmë darkonte me dhjetëra gazetarë të Bashkimit Europian në restorantin e Rogner, dhe nuk gjeti një fjalë të vetme për gazetarin shqiptar që u kërcënua me kokën e prerë të dhisë në pragun e derës?!
 
A nuk ishte ky që i vuri kazmën policisë së shtetit duke shkarkuar përdhunshëm dhe paligjshmërisht dhjetëra e qindra oficerë policie, burra dhe gra, zonja dhe zotërinj që u përleshën me kurajo me krimin dhe që u dhanë shqiptarëve Shqipërinë në NATO dhe lëvizjen pa viza dhe me dinjitet?!
 
A nuk ishte ky, me urdhrat e tij, që drejtorë të rëndësishëm të administratës i largoi dhe i zëvendësoi me persona të dënuar për trafik kokaine, heroine e drogash të tjera?!
 
Ky ishte dhe ky është. Çfarë do të bëjmë ne përpara kësaj?
 
Jemi përballur me të për të mbrojtur Kushtetutën, jemi përballur me të për të mbrojtur ligjin, jemi përballur me të për mashtrimet dhe për dështimin e tij që në 8 muaj ia ka dalë të nxjerrë më shumë njerëz nga puna se ndonjëherë në 10 vitet e fundit të marra së bashku. Por në çdo përballje me të jemi përballur në respekt të plotë të vullnetit të shumicës politike.
 
Sot jemi kthyer për tu përballur edhe njëherë, por tani ne nuk jemi vetëm opozita, ne jemi shumica absolute e shqiptarëve. Dhe kemi detyrën e shenjtë, misionin e madh por edhe të drejtën ti themi Edi Ramës; dorëhiqu dhe ik!
 
Shqiptarët nuk mund të pranojnë të qeverisen nga një njeri i kapur fund e krye nga karteli i drogës.
 
Shqiptarët nuk ia kanë borxh të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre, njeriut që i ka borxh kartelit të drogës.
 
Shqiptarët janë të vendosur për këtë përballje sado ti mbyllin sytë, sado ti mbyllin veshët por zërin e shqiptarëve nuk e mbysin dot.
 
A do ta pranojmë ne këtë qeveri e cila sot ka një hall, si ti ikë përgjegjësisë, se si të fshehë të vërtetën, apo do të përçojmë me zërin tonë shqetësimin mbarë popullor për të mos lënë Shqipërinë në duart e drogës.
 
Ndaj sot, e nisim këtë betejë, për ta vazhduar nesër, pasnesër, javën tjetër, çdo ditë, javë dhe muaj deri sa Edi Rama të mbajë përgjegjësinë e të largohet. I ka bërë llogaritë gabim, i ka bërë llogaritë jo vetëm pa opozitën, i ka bërë llogaritë jo vetëm pa demokratët, por ka bërë llogaritë pa shqiptarët.
 
E pra, llogaritë e tij po bien dhe do të bien përtokë. E vërteta po ngrihet dhe do të ngrihet çdo ditë.
 
Sot, vëllezër dhe motra, në atë sallë janë munduar të bëjnë si rëndom atë që duan dhe dinë të bëjnë; të mbysin zërin e opozitës dhe të shmangin një seancë të jashtëzakonshme për përgjegjësitë e Edi Ramës për trafikun e drogës.
 
Për dy orë e gjysëm me radhë, janë munduar t’ia mohojnë opozitës këtë të drejtë. Por sot ndryshe nga herët e tjera, pas dy orë e gjysmë betejë në Parlament dhe dy orë e gjysmë qëndrese jashtë parlamentit, janë dorëzuar.
 
5 minuta më parë, nën presionin e zërit të qytetarëve të lirë të këtij vendi Parlamenti nisi debatin e kërkuar nga opozita.
 
Debati ynë në Parlament, debati ynë jashtë parlamentit, po zbulon dhe do të zbulojë të vërtetën tronditëse të trafikut të drogës me symbyllje dhe s’shkelje të Edi Ramës.
 
E vërteta nuk mund të mbulohet përgjithmonë. E drejta vonon por nuk harron. Zoti ekziston edhe pse jo besimtarët nuk e besojnë. Dhe ne të gjithë së bashku jemi të besëlidhur sot për të qënë deri në fund garant të së vërtetës. Ash

tu si sot, ia dolëm të detyrojmë Parlamentin shqiptar të ulet dhe të diskutojë për trafikun e drogës dhe përgjegjësitë e Edi Ramës, ashtu edhe nesër, pasnesër, ditët dhe javët e ardhshme me të gjithë këta shqiptare dhe shqiptarë dhe me qindra e mijëra të tjerë do ta përballim Edi Ramën me të vërtetën, deri sa të largohet.
 
Ky është misioni ynë sepse halli ynë, halli i çdo shqiptari është e ardhmja evropiane e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Halli i EskobaRamës është jo vetëm të fshihet, jo vetëm ti ikë të vërtetës, por të vazhdojë avazin e vjetër.