Fjala ne Kuvend e deputetes se PD Jorida Tabaku:

Më në fund, një dokument i dytë i përgatitur nga qeveria tashmë jo aq e re erdhi në Kuvend. Dhe përsëri bëhet fjalë për një rritje taksash, ose për një rritje borxhi. Se sic duket këtë dinë të bëjnë më mirë. Përvecse dëgjuam për rreth dy orë në Komisionin e Ekonomisë, Ministrin e Financave me të njëjtin fjalim që mbajti dhe në shtator, këtu e 8 muaj të shkuar, lajmi i ri është vetëm që marrim borxh për të paguar borxhin. Sigurisht rruga më e lehtë e mundshme.

Premtimet kryesore te opozitës së djeshme dhe mazhorancës së sotme kanë qenë se do të ri sjellë FMN-në për të rilidhur një marrëveshje të re dhe gjithashtu u ka premtuar qytetarëve që do të ofrojë një politikë sociale ku përfshihen shëndetësia falas, legalizimet falas, e kështu me radhë.

Premtime që në qasjen e parë janë mikluese, janë ndjellëse për shumicën e qytetarëve; dielli duket që kur lind, ndaj ishte e pamundur që këto qasje sociale të implementoheshin pas një marrëveshje me FMN. Në raportin e fshehtë, por që fatmirësisht FMN e bëri publik në faqen e saj zyrtare, të gjatë mbi 130 faqe, mundet të lexosh lehtësisht disa prej çështjeve kryesore që ky institucion i sheh si parësore për t’u adresuar nga qeveria shqiptare në vitet e ardhshme.

Një rëndësi të veçantë merr në këtë raport ulja e borxhit publik në 60% të PBB-së deri në vitin 2018, nga 74% që erdhi si pasojë e marrjes së huasë nga qeveria prej FMN-së dhe huasë tjetër të marrë muajt e fundit të 2013 nga tregu vendas. Kështu FMN si një huadhënës par excellence, e si çdo huadhënës tjetër, i këshillon qeverisë që të shkurtojë shpenzimet dhe të rrisë të ardhurat. Ishte kjo arsyeja, e jo ilustrimi social, që e detyruan qeverinë që të ndryshonte sistemin fiskal edhe pse mundet fare mirë që të gjendej një alterantivë tjetër përpos “Planit B për taksat”.

Ndaj cilido shqiptar që mendon se qeveria ka rritur tatim-fitimit në 15%, akcizën mbi duhanin apo alkoolin, taksën e qarkullimit që është rritur me 6.6 përqind të cmimit e jo 3 lekë sic thotë i nderuari kryeministër, sepse qeveria e re mendon për të varfrit, gabohet rëndë. Sipas vetë këshillave që gjejmë në raportin e FMN shpjegohet qartazi se këto ndryshime do të kenë efekt pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin 2014. Nëse këto efekte nuk do të jenë aq pozitive sa priten, pra me rritje ekonomike atëherë sugjerohet rritja e disa taksave të reja mbi produktet e luksit, rritje të taksës të dividendit në 12%, vendosjen e një takse të sheshtë mbi udhëtimet, përfshirja e TVSH në arsim, rritjen e taksës për makinat e përdorura, rritjen përsëri të taksës së pronës e kështu me radhë.  Këto masa sugjerohen që të ndërmerren në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, në mënyrë që gjatë kësaj periudhe të ardhurat të rriten mjaftueshëm në buxhet sa të ulin borxhin publik. Në pak fjalë, ajo që FMN na tregon (sepse qeveria ende s’e ka ndarë mendjen të na e thotë troç) është se i ka këshilluar qeverisë që të rrisë taksat dhe të ulë shpenzimet qeveritare me afërsisht 1 miliard dollarë në tri vitet e ardhshme.

Kështu që rritja e taksave jo vetëm që nuk erdhi si pasojë e një politike sociale në ndihmë të varfërve, dhe nuk kishte si të vinte kur kishte si qëllim vetëm të rriste të ardhurat, por erdhi si pasojë e një kushti të vendosur nga FMN, që si çdo institucion tjetër financiar, flet dhe bazohet vetëm në shifra përpara se të marrë një qëndrim publik dhe përpara se të ofrojë një hua ndaj një qeverie.

Sipas vetë raportit, pavarësisht se Shqipëria pati rritje ekonomike gjatë krizës evropiane në vitet 2008-2013, ajo sot ka nevojë që të ndërmarrë disa reforma strukturore nëse do t’i rikthehet rritjes ekonomike afatgjatë. Reforma që qeveria aktuale i ka premtuar duke i mikluar, sikundër e përmendëm më sipër, për të varfrit dhe shtresën më të madhe të qytetarëve. Kështu që premtimet shndërrohen përsëri në një kujtim.

Pretendimet e qeverisë së re se ajo nuk ishte e parapërgatitur për gjendjen në të cilën do ta gjente shtetin janë të pavërteta, po të kemi parasysh fjala vjen se ajo kishte përmendur që para zgjedhjeve të 23 qershorit rikthimin e FMN-së. Duke qenë se ky plan ishte i paramenduar, atëherë opozita e atëhershme e dinte shumë mirë se FMN nuk do të lejonte në asnjë mënyrë disa prej premtimeve të bëra publikisht për shëndetësi falas, për heqje të TVSH për shportën, që publiku i dëgjoi me vëmendje duke iu mbushur mendja se llogaritë ishin bërë mirë.

Por opozita e djeshme ankohej për gjatë gjithë kohës për një borxh të madh, për një ekonomi në zgrip të krizës e kështu me radhë; këto alibi dhe tregime u krijuan për t’i shtuar ujë e miell premtimeve të qershorit 2013. Nëse qeveria e sotme do të ishte treguar e ndërgjegjshme dhe e sinqertë dhe do të kish bërë një krahasim me shifra, se ato nuk gënjejnë, do të kish gjetur se sot investimet publike jane 80% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, se sot administrata praktikisht merr vetëm rroga se sot cdo gjë është pezull.

Tanimë qeverisë i ka rënë si barrë jo vetëm që brenda rivalitetit të mazhorancës të ndjekë një politikë të re premtimesh për reduktim taksash dhe tatimesh por edhe të informojë publikun për situatën e vështirë që ndodhet nw tw cilwn e ka sjellw buxhetin e shtetit e më pas të përgatisë teknikisht administratën për këto reforma.

Premtime të mbushura sërishmi me lustra që nuk tregojnë sërishmi të vërtetën; pasi me të dhënat e fundit, ekonomia pati rritjen më të ulët në 10 vitet e fundit, ku PBB ra me 2.2%. INSTAT akoma nuk ka bërë me dije se sa ka qenë rritja reale në tremujorin e fundit të 2013, por të dhënat paraprake tregojnë se ajo është negative, dhe ekonomia jonë është zyrtarisht në recension dhe çdo politikë e re fiskale duhej të adresonte pikërisht këtë problem dhe jo borxhin publik.

Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë ka deklaruar se kemi një rënie të konsumit megjithëse qeveritarët dhe deputetët vazhdojnë të propagandojnë rritjen me 14% të konsumit që përkthehet qartazi në 10% rritje ekonomike, më së paku. Ndoshta këto zotërinj jetojnë në një botë tjetër.

Gjatë dy muajve të parë të vitit sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e ulët ekonomike është shoqëruar me një ecuri të dobët të treguesit të punësimit, duke sjellë më tej presione për rritjen e pagave dhe të kostove të prodhimit. Konsumi dhe investimet private kanë mbetur të dobët, si pasojë e besimit të ulët të agjentëve ekonomikë, e ngadalësimit të të ardhurave të disponuara, e kushteve të shtrënguara të financimit dhe e pranisë së kapaciteteve të pashfrytëzuara të prodhimit. Kjo tablo pritet të jetë e pranishme edhe gjatë tremujorëve të ardhshëm.

Kjo tablo sic pritej dhe sic u njoftua dhe nga ne në dhjetor, kryesisht falë rritjes së taksave dhe paketës së re fiskale ka pasur dhe një efekt negativ në nivelin e të ardhurave. Paketa e re fiskale e cila do të gjeneronte një ngarkesë të re fiskale prej 40 milionë u
sd më shumë cdo muaj ka sjellë vetëm 10 milionë usd më shumë cdo muaj. Duke sjellë një rritje të informalitetit, një reduktim të numrit të bizneseve të reja të regjistruara dhe ajo që ka më shumë rëndësi duke kaluar në skenarin për rritjen e re të taksave që FMN paralajmëron në dokumentin e saj të politikave.

Qeveria ka tetë muaj që ka filluar punë, e në këto tetë muaj përpos se ka anatemuar opozitën e sotme (por jo qeverinë e shkuar prej së cilës ka marrë 3 ministra) si fajtore e duke u marrë më së shumti me propagandën dhe demagogjinë për sistemin e ri fiskal.

Kështu ndodhi edhe me kur një ministër pretendon se nuk do të kemi rritje të çmimit të energjisë ndërkohë që një tjetër pohon të kundërtën. Madje dhe vetë FMN pretendon për heqjen e subvencioneve ndaj çmimit për familjet, që përkthehet në rritje të çmimit për konsumatorët familjarë.

Kur opozita ngriti zërin për rritjen e moshës së pensionit, ministri replikoi duke kundërshtuar në fillim të Janarit 2014 e duke pohuar qartazi se nuk do të ketë rritje të pensionit. Por sipas të dhënave që sërishmi i përfitojmë nga FMN, presim që qeveria e re të rrisë moshën e pensionit, e me këtë gjasë propaganda e ministrit ka filluar të ndihet ku në media deklaron se do të kemi një rritje të moshës së pensionit por që nuk do të prekë pensionistët e këtij viti.

Gjatë Dhjetorit 2013 kryeministri Rama akuzoi opozitën si mashtruese dhe të pavërtetë ndërkohë që ne ngrinim zërin kundër ngrirjes së pagave dhe pensioneve. Nuk është e vërtetë thatë, ndërkohë që sot përsëri po vazhdoni rrugën e lehtë dhe në vend që të merrni masa sociale si shtet social që propagandoheni, jeni duke bërë pikërisht të kundërtën.

Ka ardhur koha që të hiqet dorë nga interpretimet ideologjike e politike të ekonomisë dhe duhet këmbëngulur mbi diskutime profesionale. Në mungesë të një raporti zyrtar qeveritar, publikut dhe ne deputetëve na mbetet të informohemi vetëm nga FMN dhe transparenca e saj. Ndërkohë që transparenca e qeverisë është ende ajo e buxhetit të vitit 2014, më e ulëta në këto 10 vitet e fundit, duke lënë në huti të madhe bizneset e huaja dhe vendase për atë çka i pret ato në vitet e ardhshme.

Kështu duke hequr dorë nga interpretimet ideologjike vetëm për efekte propagande dhe shmangia e një diskutimi profesional dhe gjithëpërfshirës me mbulimin e diellit me shoshë në formë akuzash si në kohën kur ishit në opozitë nuk i bën dobi e prokopi vendit.

Përpos një vizioni të cunguar mbi politikat ekonomike, të kompensuar me një checklist me ankesa e detyra private për t’u zbatuar, nuk shohim përmirësim të klimës së biznesit, nuk ka asnjë incentivë të re për rritjen e besimit të investitorëve. Mirëpo mbi të gjitha nuk shohim qeverinë të jetë shërbëtorja e popullit, të jetë qeveria sociale sikundër propagandoi.

Ndërkohë që qeveria merr borxh për të shlyer borxhin, ndërkohë që investimet e huaja direkte bien, ndërkohë që bizneset kanë nevojë për mbështetjen e shtetit, ndërkohë që taksë mbas takse rritet barra fiskale qytetarët dhe bizneset shqiptarë janë në vështirësi.

Për këtë arsye kërkuam me insistim që qeveria të realizonte konsultime me bizneset, që të përfshihen të gjitha palët e interesuara që të mos dëgjojmë një mea culpa tjetër të Ministrit të Financave nesër, ti dëgjojmë të gjithë sot.

Ne besojmë se në situatën në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare sot, me parametra makroekonomike për herë të parë të pastabilizuar, dhe me rrezikun e rritjes së borxhit përtej 75%, do të jemi më mirë në monitorimin e FMN sesa pa të.

Ndoshta qeveria do të jetë më e përgjegjshme dhe e kontrolluar. Por nuk mund të lejojmë kurrë që shqiptarët të përjetojnë një rritje tjetër drastike taksash. Nuk mund të pranojmë që qeveria thjesht zgjedh rrugën e lehtë!