Deputeti Strazimiri deklaron se dëshmia aksidentale e mesazhit, nuk e shpëton Ministrin e Brendshëm nga dëshmia e rreme.

 Ministri i Brendshëm, në tentativë për t‘iu shmangur përgjegjësisë publike dhe ligjore që kishte për të bërë transparencë para Komisionit Hetimor, gënjeu nën betim në lidhje me treguesit e kriminalitetit dhe disa momente të rëndësishme të aktivitetit të tij në krye të rendit dhe sigurisë.

Dje, në 5 orë deponime përpara Komisionit Hetimor, u paraqit individi i konferencave për shtyp të podiumit rilindas, që akuzonte oficerët e policisë për “korrupsion”, “lidhje me krimin”, “obezitet” dhe “paaftësi”, por i ndodhur në opozitë nuk kishte ç’u bënte.

Dje, i njëjti individ, tashmë në rolin e ministrit që “di dhe ditëlindjet e secilit prej policëve”, pranoi se asnjë prej personave të akuzuar nuk është “liruar”, “përjashtuar” apo “proceduar penalisht” për shkaqet e sipërpërmendura, çka do të thotë se çdo akuzë që pati ngritur ka qenë një broçkull, dhe po broçkull ka mbetur.

I vetmi kontribut i ministrit, i dhënë aksidentalisht dje ne Komisionin Hetimor, ishte që nëpërmjet pranimit të sms-së së famshme, ka pranuar se në krahasim me vitin 2013, treguesit e krimit, citoj: “janë përkeqësuar”, që “vrasjet janë dyfishuar”, që ka një “lëshim skandaloz të punës”, dhe “neglizhencë fatale”! Dhe në fund që kjo situatë “është e trishtë dhe e rëndë për qytetaret”!  

Me dëshminë e tij aksidentalisht të sinqertë, z.Tahiri konfirmoi shqetësimin mbarëpopullor dhe shqetësimin e opozitës për rritjen e krimit dhe të pasigurisë së qytetarëve.

Veç kësaj, duke gënjyer nën betim përpara Komisionit Hetimor të Kuvendit, dje Ministri i Brendshëm është bërë përsëri përgjegjës penalisht në bazë të Kodit Penal, neni 306 për “Dëshmi të rreme”, duke rënduar më tej pozitën e tij për “Moskallëzim krimi” në lidhje me vrasjet e disa personave të afërt me të, të cilën e kemi bërë të ditur më parë.

Nxisim, inkurajojmë dhe këshillojmë përsëri qytetarin Sajmir Tahiri, Ministër i Brendshëm ende në detyrë, që të bashkëpunojë me drejtësinë sepse ligji parashikon lehtësira.