Zëdhënësja Vorpsi denoncon shkeljet me emërimet në sistemin shëndetësor. 

Shëndetësia në Shqipëri po kalon ditë të vështira. Çmimi i ilaçeve po rritet, dhe Ministri shkel ligjin, ndërhyn në tender për interesa klienteliste duke hequr dhe sigurinë e medikamenteve. Përtej kësaj, shëndetësia në terren është kapluar nga nepotizmi, nga favorizimi i kushërinjve qeveritarë dhe familjarëve të drejtuesve, me farmacitë e reja që kanë mbirë në dyert e spitaleve. Shëndetësia e rilindjes po rehabiliton edhe mjekë që janë ndëshkuar më parë për abuzime. Me Edi Ramën kryeministër, nepotizmi në shëndetësinë e Tropojës ka njohur raste të padëgjuara kurrë më parë. Drejtori i shëndetit publik të këtij rrethi, Kongres Imeraj,  i caktuar nga rilindja, vetëm dy ditë pasi ka marrë detyrën, ka emëruar mjeke familjeje gruan e tij. Gruaja e drejtorit është infermiere dhe pa shkollën e lartë. Meqënëse shkelja ishte e madhe dhe nepotizmi edhe më i madh, drejtori e emëroi më pas gruan e tij shefe të higjienës në rrethin e Tropojës. Pak vite më parë, emisioni investigativ “Fiks Fare” zbuloi rastin e një mjeku në Krujë, i cili i dërgonte pacientët për të bërë analiza dhe eko në klinikën e tij private që drejtohej nga bashkëshortja. Mjeku Durim Herri u akuzua për shpërdorim detyre dhe u pezullua për 9 muaj, si masë administrative. Sot ky mjek është bërë drejtor i Spitalit të Krujës. Ky është vizioni i Edi Ramës për shëndetësinë, ky është modeli i tij i ofrimit të këtij shërbimi.