Zëdhënësja Vorpsi denoncon emërimin e Beqirit në krye të informacionit dhe sigurisë për pronat e shqiptarëve, dhe të Gjiknurit në krye të informacionit të financave të vendit

 

Kryeministri Edi Rama ka shpërblyer grupin e sulmit në errësirë mbi serverin e tatimeve, duke ndarë për ta poste e detyra të rëndësishme.

Kryetari i grupit që akuzohet për fshirjen e mbi 4 milionë deklaratave, dhe vjedhjen e të dhënave personale, konfidenciale, për interesa përfitimi të klientëve dhe të dyshes Rama-Meta, është bërë drejtor i IT në Zyrës kombëtare të Regjistrimit të Pasurive. Ndryshe, përgjegjës për sigurinë e pronave të shqiptarëve.

Rama ka shpërblyer edhe Panajot Gjiknurin, vëllain e Ministrit të Energjetikës, deri dje këshilltar i Ministrit të Financave, për ngritjen e zbatimin e kësaj skeme korruptive.

Kohët e fundit ai është emëruar drejtor i IT në Ministrinë e Financave.

Edi Rama ka graduar në këtë mënyrë autorët e skandalit më të madh në sigurinë tatimore të shtetit shqiptar.

Duke i shpërblyer këta persona, ndaj të cilëve ka edhe kallëzim penal në Prokurori, Rama tregoi edhe një herë se ata shkuan natën në serverin e tatimeve, për të kryer detyrat e Ramës dhe Metës.

Kryetari i grupit të manipulimit vihet në krye të sigurisë së pronave të shqiptarëve. Bashkëpunëtori në krim, vihet në krye të informacionit të financave shqiptare.

Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese, i ka hapur rrugë hetimit parlamentar të skandalit të vjedhjes dhe manipulimit të të dhënave të biznesit dhe qytetarëve, Edi Rama ka marrë masa për t’u dhënë pushtet e trofe autorëve të krimit financiar.

Partia Demokratike i konsideron këto akte të Kryeministrit si thellim të skandalit.

Ne nuk do të ndalemi, derisa ta zbardhim plotësisht ngjarjen, mekanizmin korruptiv dhe derisa të nxjerrim në dritë të gjithë përgjegjësit, pavarësisht se sa të forta i kanë lidhjet politike, pavarësisht bekimit që kanë marrë nga dyshja Rama-Meta.