Deputeti Ristani përsërit shqetësimin e opozitës për të dhënat tronditëse të vënies së bazave të ushtrisë në dispozicion të trafikut të drogës

 Zhvillimeve mjaft shqetësuese për trafikun e drogës, kthimin e Shqipërisë në listën e zezë të drogës, alarmet që vijnë nga shtetet fqinje për drogën shqiptare në kufijtë e tyre, shndërrimit të Kanalit të Otrantos në autostradë të drogës, e njëjta gjë me fqinjin jugor ku vetëm sot policia Greke kapi 108 kg marijuanë që shkonte atje nga territori ynë, për fat të keq u është shtuar një zhvillim edhe më tronditës; përfshirja e ushtrisë shqiptare në trafikun e drogës.

Dje, Partia Demokratike i kërkoi Ministres së Mbrojtjes të jepte shpjegime në lidhje me vënien e bazave të forcave tona të armatosura në dispozicion të trafikut të drogës.

Të dhënat e raportuara flasin për këtë fakt tronditës, që është kapitullimi i shtetit dhe imazhi më i keq për një vend anëtar në NATO, siç është tashmë Shqipëria.

Ministrja Kodheli ka zgjedhur të heshtë, por kjo nuk e largon atë nga përgjegjësia që ka për të dhënë shpjegime për pyetjet:

1-A është ajo në dijeni të shqetësimit për përdorimin të mundshëm të  infrastrukturës forcave të armatosura në trafikun e drogës?

2-A ka informacion ajo se si ka ndodhur që forcat tona të armatosura, pjesë e NATO-s, janë vënë në shërbim të trafikut të drogës?

3-Cilat janë masat që ajo ka marrë përballë këtyre fakteve skandaloze?

Heshtja e Ministres nuk është aspak në shërbim të interesit publik, në shërbim të forcave të armatosura dhe të shtetit shqiptar.

Ndërkohë shqetësimi i publikut dhe i opozitës për gjendjen e rendit dhe të sigurisë në vend, ndonëse po konfirmohet çdo ditë si një shqetësim real dhe i qenësishëm, po kalon nga njeri vesh i qeverise te tjetri, pa takuar askund në kokën e boshatisur qeveritare.