Kryetari i Partisë Demokratike shpall nisjen e zgjedhjeve, pas mbylljes së procesit të regjistrimit ku demokratët kanë numrin më të lartë të anëtarëve se asnjë herë më parë.

 

Sot dëshiroj të njoftoj opinionin publik se në mbarë vendin, me përjashtim  të Tiranës për të cilën sapo ka filluar një projekt pilot, grupet e punës të Partisë Demokratike përmbyllën regjistrimin, riregjistrimin dhe anëtarësimet  e reja në Partinë Demokratike.

Kjo ishte një thirrje drejtuar anëtarëve, simpatizantëve, qytetarëve, të rinjve e të rejave pas rezultatit që patëm në zgjedhjet politike të qershorit të shkuar.  

Thirrja jonë mori si përgjigje një rikonfirmim shumë domethënës të anëtarësisë tradicionale, një rikthim si rrallë herë në  shtëpinë e tyre politike të sa e sa individëve që për arsye të ndryshme kishin ndërprerë veprimtarinë politike në Partinë Demokratike ose ishin larguar prej saj, një vërshim të fuqishëm të brezit të ri, por edhe grupmoshave të tjera, për t’u anëtarësuar në forcën më të madhe politike të opozitës, në Partinë Demokratike. 

Sot kam kënaqësinë të njoftoj se duke mbajtur parasysh edhe  regjistrimin e pritshëm për Tiranën, Partia Demokratike ka numrin më të madh të anëtarëve me regjistrim të rregullt dhe me të dhëna të sakta të databazës, që ka patur ndonjëherë në historinë e saj. 

Për mua si kryetar i PD-së, për të gjithë drejtuesit e saj ndër vite, për të gjithë anëtarët e saj të vjetër dhe të rinj dhe, jam i sigurt, edhe për  opinionin e gjerë publik se ky është një lajm shumë i mirë dhe i  gëzueshëm.

Shqipëria ka një opozitë  politike popullore akoma më të fortë,  shtyllë e sistemit demokratik në vend.

Shqipëria ka një alternativë gjithnjë e më solide ndaj qeverisë Rama-Meta të zhgënjimeve të mëdha dhe përkeqësimit të gjithanshëm. 

Partia Demokratike në opozitë u ngrit  prej humbjes  brenda një kohë të  shkurtër dhe po riniset më e madhe, më e bashkuar dhe më e vendosur së kurrë  në misionin e saj.

Dua të falenderoj sot nga zemra të gjithë ata që rikonfirmuan anëtarësinë e tyre në Partinë Demokratike, të gjithë ata që u rikthyen  në Partinë Demokratike, të gjithë ata që u bënë për herë të parë anëtarë të Partisë Demokratike.

Kjo është familja jonë, ky është bashkimi ynë në shtëpinë e lirisë, si demokratë, si njerëz të lirë, si atdhetarë dhe europianistë.

Kjo histori nuk mbyllet këtu. Ne vendosëm një afat në funksion të  fushatës për zgjedhjet në parti, por kthimet e rikthimet do të vazhdojnë. Hapja vazhdon e do të vazhdojë. Hapja dhe përtëritja mbeten natyra e Partisë Demokratike.

Por sot, pas përfundimit të regjistrimit, kam kënaqësinë të njoftoj çeljen e një etape të re të projektit tonë të ringritjes dhe modernizimit të partisë: zgjedhjet në nivel seksionesh, grupseksisonesh dhe degësh. 

Për këtë qëllim, bazuar në statutin e Partisë Demokratike, pas konsultimesh të gjera dhe duke marrë parasysh sfidat politike që kemi përpara, kam lëshuar udhëzimin e posaçëm për fillimin dhe zhvillimin e këtyre zgjedhjeve. 

Udhëzimi në fjalë do t’u bëhet i njohur të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike dhe bashkë me statutin e partisë do të jenë dy dokumentet themelore që do të garantojnë mbarëvajtjen e analizave dhe zgjedhjeve në PD, shndërrimin e tyre në një  manifestim të  madh të përgjegjësisë, në një shkollë të vërtetë të etikës qytetare, në një festë të demokracisë brenda partisë dhe në komunitet, në një nisje të re me frymëzime dhe energji  të reja drejt objektivave që kemi. 

Kuvendim i lirë, zgjedhje të lira, pushtetin votës së lirë të anëtarë, kjo do të jetë fushata e zgjedhjeve në Partinë Demokratike, në të cilën ftoj sot të marrin pjesë dhe të japin kontributin e tyre të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike, ata që kanë qenë dhe janë shpirti i lirë i partisë më të madhe të lirive në Shqipëri.

Ky është momenti i anëtarësisë, kjo është prova e themelit. Niveli i analizave dhe cilësia e zgjedhjeve janë vendimtare dhe përcaktuese për të ardhmen e Partisë Demokratike, për suksesin e saj sot në opozitë dhe nesër në drejtim të vendit.  

Nëse shikojmë përpara, pra nuk rrotullohemi në vend- dhe unë kam bindjen se përpara do të shikojmë; nëse që nga anëtari dhe seksioni më i thjeshtë e shohim rolin dhe misionin e Partisë Demokratike në lidhje të ngushtë e të pazgjidhshme me aspiratat popullore për zhvillim, integrim, siguri, mirëqenie dhe dinjitet njerëzor- dhe unë kam bindjen se ky është horizonti politik i demokratëve – rezultatet e kësaj fushate do të jenë hopi ynë dhe siguria jonë  për sukses dhe për  fitore.     

Udhëzimi që kam lëshuar garanton garë, solidaritet, vlerësim të kontributeve dhe rezultateve, hapje dhe përtëritje, qarkullim të drejtimit dhe elitave në përputhje me filozofinë e partive popullore ku bëjmë pjesë.

Le të nisim analizën. Le të vëmë gishtin me drejtësi dhe objektivitet mbi shkaqet reale të rezultateve në zgjedhjet  e shkuara. Le të diskutojmë e debatojmë në mënyrë të qytetëruar. Le të reflektojmë e nxjerrim mësimet e duhura   në funksion të ringritjes. 

Le të nisim garën e re, të lirë e të ndershme, të pastër, të drejtë e demokratike në çdo element të saj. Garën që do të afirmojë seriozitetin e një partie me histori të madhe dhe ambicie të mëdha. Garën që do të nxjerrë në drejtimin e partisë që nga seksioni më i largët e deri në drejtimin e degëve njerëzit më të mirë e më të aftë, demokratët më të respektuar nga anëtarësia dhe nga komuniteti, ata që bashkë me mua, me anëtarët, votuesit dhe simpatizantët tanë do të udhëheqim Partinë Demokratike në synimet tona për të fituar zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm dhe zgjedhjet politike me pas. 

Urime dhe suksese të gjithëve.