Deputeti demokrat Mima, hedh poshtë arritjet me të ardhurat. Nga rritja e taksave dhe e akcizave duhej të ishin mbledhur 30 milionë dollar më shumë.

Për dy ditë rresht shqiptarët kanë ndjekur paradën e ”sukseseve spektakolare” në mbledhjen e të hyrave publike. Partia Demokratike e ndjen detyrë parësore të sqarojë qytetarët e vendit se ç’nënkuptojnë të ashtuquajturat suksese.

Në dy muajt e parë të vitit, janë mbledhur rreth 45 miliardë lekë të ardhura tatimore nga 335 miliardë që janë planifikuar për t’u mbledhur gjithsej për vitin 2014. Me këtë ritëm të “suksesshëm”, mosrealizimi vjetor, në skenarin më optimist, do të jetë i rangut minus 30 deri minus 40 miliardë Lekë, ose minus 300 milionë deri minus 400 milionë Dollarë.

Në dy muajt e parë të vitit 2014, vetëm nga rritja e akcizës, taksës së qarkullimit, tatimit mbi të ardhurat personale, tatimit mbi fitimin, tatimit të pasurisë dhe kontributit të sigurimeve shëndetësore do të duhej të vinin në buxhet si të ardhura shtesë 2 miliardë Lekë çdo muaj, ose 4 miliardë për dymujorin e parë, ndërkohë që janë arkëtuar vetëm 1 miliard Lekë. Qeveria duhet të shpjegojë se ku kanë shkuar këto 3 miliardë Lekë ose rreth 30 milionë Dollarë që mungojnë e të cilat duhet të vinin vetëm si rezultat i rritjes së taksave.

Në lidhje me marrëveshjen e arritur me FMN-në, Partia Demokratike deklaron se ajo nuk do të heshtë kur pjesëtarë të kabinetit qeveritar tallen e gënjejnë popullin se gjoja borxhi i ri që po marrim nga FMN-ja ka vetëm një qëllim: uljen e borxhit të vendit. Këto përralla le t’ia tregojnë “Rilindasi-rilindasit”, popullit t’i gjejnë punë, sikurse i premtuan.