Deputetja Bregu deklaron se pavarësisht përgjigjes negative të Kryeministrit, Partia Demokratike do të jetë në tryezën e nesërme të dialogut me Bashkimin Europian.

 

Nesër në Tiranë zhvillohet takimi i dytë i Dialogut të Nivelit të Lartë, mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, një formulë e përcaktuar për të diskutuar mbi prioritetet e detyrimet që ka qeveria në procesin e integrimit europian të vendit.

Në takimin e parë të zhvilluar në fund të tetorit, kam kërkuar në emër të opozitës shqiptare një përfaqësim në tryezen e dialogut të nivelit të lartë, në të njëjtin format dhe me të njejtat standarte që ka gëzuar opozita e djeshme, sot maxhorancë, në takimet për planin e veprimit për 12 prioritetet, pra përfaqësimin e opozitës parlamentare në nivel kryetarësh e nënkryetaresh të komisioneve parlamentare.

Ia kam paraqitur zyrtarisht këtë kërkesë Kryeministrit të vendit, por përgjigja ka qënë refuzimi për t’i ofruar opozitës sot, atë standard që vetë zoti Rama e ka gëzuar dje kur ishte në opozitë. Është e qartë se qeveria nuk e ndjen nevojën që procesi i shqyrtimit të prioriteteve dhe procesit të integrimit, të jetë gjithëpërfshirës.

Në këto kushte, ky dialog i nivelit te lartë, nuk është dialog i nivelit gjithpërfshirës.

Pavarësisht nga ky qëndrim i maxhorancës qeverisëse, në përputhje me angazhimin tonë se si opozitë do të mbeshtesim pa kushte procesin e integrimit të Shqiperisë në BE, në respekt të arritjeve që ky proces ka njohur gjatë qeverisjes sonë, por mbi të gjitha, në respekt të aspiratës së palëkundur të qytetarëve shqiptarë për ta parë Shqipërinë si gjithë Europa, opozita do të jetë nesër e pranishme në Dialogun e Nivelit të Lartë.

I bëjmë thirrje edhe një herë maxhorancës që të respektojë standartin e përfaqësimit në nivel kryetarë e nënkryetarë komisionesh parlamentare të opozitës, standart të cilin ne si maxhorancë ia kemi ofruar pa kushte.

Ftoj Kryeministrin e vendit t’i bashkohet kërkeses tonë për një Dialog të Nivelit të Lartë, publik e me praninë  e medias.

Ky është procesi më i rëndësishëm për shqiptarët.

Opozita do të jetë nesër në takim për t’i përsëritur qeverisë shqiptare se respektimi i standarteve evropiane është i domosdoshëm për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave.

Do të jemi nesër në takim për t’i bërë me dije edhe palës evropiane se shkelja e kushtetutes, ligjit, mosrespektimi i vendimit te gjykatave, dhunimi i institucioneve të pavarura, shkatërrimi i administratës, shkallmimi i konsesusit politik , janë arsyet reale që po e dëmtojnë ecjen përpara në procesin e integrimit evropian.