Deputeti demokrat Halimi publikon shifrat e reja. 2706 të shkarkuar padrejtësisht kanë denoncuar në sistemin e PD. Vlerësohet se janë mbi 5 mijë nëpunës të larguar nga qeveria Rama-Meta. Kostot e fushatës së spastrimit janë të pamatshme.

 

Jemi sot këtu për të bërë publike fakte të reja të masakrimit të administratës shtetërore nga qeveria.

2706 punonjës të shtetit të larguar nga detyra në mënyrë të paligjshme, kanë bërë deri në këtë moment që flasim, denoncimin e tyre pranë zyrave të Partisë Demokratike.

Në këto të dhëna, ende nuk janë reflektuar me qindra të larguar së fundmi si infermiere, punonjës të Albetrolit, punonjës të ATSH-së, të doganave etj, të cilët ende nuk kanë bërë ankesë në sistemin e ngritur nga Partia Demokratike.

Më shumë se 700 të larguar kanë bërë padi civile në Gjykatën Administrative të Tiranës, ku po asistohen falas nga Partia Demokratike dhe qindra të tjerë janë në proces gjyqësor në gjykatat administrative të rretheve.

Qeveria ka refuzuar të përgjigjet për kërkesat që ne, që parlamenti, i ka bërë në rrugë zyrtare, për të informuar mbi numrin e të gjithë të larguarve nga puna. Afati ligjor ka kaluar, por qeveria hesht për të fshehur hartën e masakrës që ka bërë dhe po bën dhe sot në administratë.

Llogaritet se sot janë mbi 5 mijë nëpunës të shkarkuar.

Nga ministritë, dikasteret qëndrore, në drejtoritë e sektorët më të largët në rrethe, fshesa e paligjshme dhe çnjerëzore e qeverisë, ka hedhur në rrugë mijëra burra e gra, prindër, të rinj e të reja, pa motiv, në kundërshtim me ligjin.

Qeveria është sjellë dhe po sillet me harbutëri dhe arrogancë ndaj qytetarëve të vetë, sikur të ishte pushtuese, vetëm për të kënaqur orekset partiake dhe zgjedhore, pa llogaritur kostot e mëdha, sociale, ekonomike e politike, përveç dramës për po shkakton për secilën prej ketyre 5 mijë familjeve.

Qeveria Rama-Meta, ka shkatërruar administratën me hedhjen në rrugë të profesionistëve dhe me zëvendësimin e tyre me militantët e partisë, duke bërë hi njërin nga kriteret kryesore të integrimit europian.

Qeveria Rama-Meta ka shkaktuar krizë dhe dhimbje në familjet e mijëra të larguarve pabesisht dhe në mënyrë të paligjshme nga puna, me të cilën mbanin famijen e tyre.

Por përveç mbi 5 mijë familjeve, qeveria Rama-Meta i ka shkaktuar buxhetit të shtetit, parave të qytetarëve, një dëm të madh ekonomik, pasi pjesa më e madhe e të larguarve, pas vendimit te Gjykatës Kushtetuese, kanë fituar drejtësinë në gjykatë, çka po sjell dhe do të sjellë pasoja që llogariten në miliona e miliona Euro për arkën e shtetit, për paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Ne i bëjmë thirrje qeverisë, Kryeministrit, të ndalojë menjëherë masakrën ndaj administatës shtetërore.

Të zbatojë menjëhere gërmë për gërme, ligjin për Nëpunësin Civil, të miratuar me konsesus me 30 maj 2013, si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Të zbatojë menjëherë pikë për pikë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që e ka kapur qeverinë në paligjshmëri në të gjitha vendimet dhe 

urdhërat e saj për largimet nga detyra, nga 1 tetori 2013.

Të kthejë në punë burrat, gratë, të rinjtë e të rejat, të shkarkuar padrejtësisht dhe në mënyrë të paligjshme.

T’i kthejë administratës dinjitetin dhe kapacitetet që ajo meriton, si një aset i vyer publik, si motorri kryesor që kryen reformat e domosdoshme për integrimin europian të vendit.

Duke qenë se nesër vjen për vizitë në Tiranë, Komisioneri për zgjerimin, z.Fyle, ne i kërkojmë atij, të bëjë ç’është e mundur, për t’i kujtuar Kryeministrit që refuzon të dëgjojë çdo zë në këtë vend,  rëndësinë që ka zbatimi i ligjit “Për statusin e nëpunësit civil”, si një reformë e administratës publike dhe si garanci për të drejtat dhe dinjitetin e çdo qytetari shqiptar.