Të nderuar deputetë,

Anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe aleatë.

Në këtë takim të përjavshëm sot dua të fokusohem tek ekonomia, fusha ku është mbledhur e vazhdon të mblidhet dështimi gjithnjë e më tronditës dhe mbytës i qeverisë Rama-Meta, treguesi më i kokëfortë i amatorizmit, paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së saj.

Politikat ekonomike që duhej të ishin frymëzimi, mbështetja dhe siguria e sipërmarrjes së lirë në vend, janë bërë sot laku shtrëngues që po i merr frymën vendit.

Nisma e lirë, si fuqia përtëritëse dhe ripërtëritëse e zhvillimit dhe mirëqenies nuk është më  një thirrje guximi, suksesi dhe mrekullie për brezin e ri.

Ajo po meket e po shuhet në shterimin e përditshëm të mundësive për sukses, në frikën e rreziqeve të shtuara jo thjesht për shkak të krizës, por para së gjithash për shkak të mjedisit mbytës që ka krijuar qeveria me politikat e saj.

Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet private janë në nivele shumë të dobëta. Ndonëse BSH prej muajsh tashmë, herë pas here, ul normën baze te interesit, kredia për sektorin privat vazhdon te jete ne rënie, ku përveç uljes që pësoi gjate 3-mujorit te fundit 2013, edhe ne janar 2014 tkurrja ka vazhduar me -1.4%.

Ekonomia është ankthi numër një i gjithë qytetarëve, i familjarëve, i gjithë shoqërisë. Është ankthi i të papunëve që nuk po shohin asnjë perspektivë punësimi,  është ankthi i të punësuarve që nuk kanë asnjë siguri, teksa shohim se çdo ditë  dora e krizës godet si me kosë vendet e punës, duke i pakësuar ato.

Ekonomia është sot ankthi i çdo familje shqiptare. Në radhë të parë  i familjeve të varfra, i familjeve që mezi e shtyjnë apo nuk e shtyjnë dot muajin për shkak të shtrenjtimit të jetesës,  por edhe i familjeve që kanë arritur të kursejnë diçka përgjatë viteve dhe që po shtrëngojnë më fort se kurrë kursimet e tyre duke jetuar në perceptimin e ditëve më të këqija në horizont.

Rënia në nivele historike e konsumit, strukja e portofolit të kursimeve flet më qartë e më saktë se asgjë tjetër për gjendjen dhe perspektivën e erret ekonomike sot.

Në fakt, me sjelljen e vet, konsumatori shqiptar e ka lënë në klasë, për të mos thënë e ka rrëzuar de fakto qeverinë Rama-Meta.

Kjo sjellje tregon se konsumatorët, pra qytetaret, po i bëjnë llogaritë e mbijetesës dhe përgatitjes për ditë me të këqija pa qeverinë, duke e konsideruar qeverinë problemin për t’u zgjidhur dhe jo zgjidhjen e problemeve.

Si opozitë, ne jemi përpjekur të bëjmë detyrën tone për ta paralajmëruar dhe parandaluar këtë situatë me mjetet që ka opozita. Si përmes paralajmërimeve kundër politikave të qeverisë, ashtu edhe me propozime konkrete për një paketë fiskale të lehtë e të përballueshme për tatimpaguesit shqiptarë për t’i dhënë frymëmarrje dhe ringritje ekonomisë. Këtë propozuam në muajin dhjetor me rastin e shqyrtimit në Kuvendin e Shqipërisë të  buxhetit të vitit 2014 dhe paketës fiskale shoqëruese.

Publiku shqiptar dhe sipërmarrja shqiptare janë dëshmitarë të qëndrimeve dhe propozimeve tona transparente.

Ndaj, kur flasim sot për gjendjen, në njëfarë mënyre përsërisim parashikime tona të vjeshtës dhe dhjetorit të vitit të kaluar, parashikime të cilat, për fat të keq, jo vetëm nuk janë përgënjeshtruar nga realiteti i zhvillimeve gjatë këtyre muajve, por në shumë tregues, siç janë ato të mbledhjes së të ardhurave të programuara dhe punësimit, kanë shkuar edhe më keq.

E çuan ekonominë  në reanimacion me rritjen e menjëhershme dhe drastike, jashtë çdo logjike ekonomike të borxhit, me uljen absurde me ligj të  planit të të ardhurave nga doganat dhe tatimet, me taksat e larta dhe totalisht të paekuilibruara, që janë shndërruar në boomerang dhe fatkeqësi e ekonomisë.

Rritja e madhe e akcizave sipas qeverise pritet të sjellë 120 milion dollarë më shumë në  buxhet. Në fakt në dy muajt e parë të vitit ka sjellë 10 milion dollarë më pak, ndërkohë që rritja e të ardhurave është më pak se një e pesta e asaj që është programuar.

Një dështim të  këtyre përmasave në parashikim dhe në zgjidhjet e propozuara nuk e ka njohur asnjë qeveri në historinë e njëzet e tre viteve të fundit. Rrallë mund të gjesh në botën e lirë  ndonjë shembull që t’i përafrohet në gabimit në parashikim të dyshes Rama-Meta me taksat e larta e shumë të larta.

Gabimet rëndom janë njerëzore, por kush gabon në këtë shkallë  bëhet i pabesueshëm për të drejtuar dhe nuk jep më asnjë garanci.

Duke e parë edhe me sytë e saj dështimin, qeveria që ka rrezikuar mbytjen e ekonomisë, lëshoi SOS-in e fshehtë për shpëtim dhe kjo, fshehtësia,  është  aspekti tjetër tragjik dhe tragjikomik i komplekseve të qeverisë.

Si mund të mbahet fshehtë një marrëveshje me FMN-në, siç u përpoq qeveria shqiptare këto javët e fundit.

Cila qeveri e një vendi të lirë në botë nuk u përgjigjet me shpjegime, por i vërsulet me ofendime rrugaçërore opozitës kur ajo kërkon transparencë për marrëveshjen me FMN, përveç qeverisë Rama-Meta.

Tani e kemi transparencën, që nuk ka qenë nevoja të sigurohet me çmimin e panevojshëm të konfliktualitetit që imponoi sjellja e kryeministrit, kuptojmë nga termat e marrëveshjes edhe arsyen e lajthitjes së tij dhe bashkëpunëtorëve të tij në qeveri.

Marrëveshja e qeverisë me FMN-në është një autodemaskim në përmasa të mëdha i gjithë falsitetit dhe gënjeshtrave të saj elektorale dhe pas-elektorale për ekonominë. Një autodemaskim i papërgjegjshmërisë dhe dështimit të saj spektakolar. Prandaj Qeveria ka dashur ta mbajë sa më  larg njohjes nga publiku dhe opozita.

FMN ka ripërsëritur në krye të marrëveshjes faktin botërisht të njohur e të pranuar se Shqipëria mënjanoi me sukses rënien e ekonomisë në krizë gjatë recesion global, pra gjatë qeverisjes sonë.

Në vend që të niseshin nga ky realitet, për të avancuar me kujdes politikat e stabilitetit dhe ringritjes graduale, zoti Rama me të  tijtë u nisen si mohues të mëdhenj dhe si demagogë. Kjo sigurisht, shkaktoi menjëherë, siç nënvizon FMN,  rënie të  ndjeshme të besimit të investitorëve, përkeqësim të  klimës së biznesit, rritje të rrezikut të financimit të borxhit, borxh që u rrit nga qeveria nga niveli 62 për qind në 74 për qind të PPB-së.

Rritja e nivelit te borxhit publik me 1.4 miliardë USD ne harkun e 15 muajve (tetor 2013 – dhjetor 2014) u bë me pretekstin e shlyerjes se borxhit ndaj kompanive. Por pas 6 muajsh qeveria ka paguar rreth 140 milionë USD me pak [ër punime apo shërbime të kryera për kontratat me qeverinë ne krahasim me te njëjtën periudhe te një viti me pare. Ndërkohë që janë rimbursuar rreth 32 milionë USD me pak rimbursim TVSH (gjithnjë krahasuar me periudhën respektive të vitit te mëparshëm)

Gjithashtu, qeveria gjatë dy muajve te pare nuk ka paguar asnjë qindarke për të përndjekurit politike, ndërkohe qe ne periudhën janar-shkurt 2013 janë paguar 3 milionë USD. Pardje inauguroi lyerjen e zyrave qe e quajti rikonstrusion. Uroj që nuk do ta faturojë si rikonstruksion ndonëse njihet tradita e fasadave persa i përket kësaj tradite.

Qeveria gjate dy muajve te pare nuk ka paguar asnjë qindarke nga fondi prej 1.1 miliardë leke te planifikuar për vitin 2014 për “kompensimin për shtresat në nevojë”. Ashja qindarkë të vetme.

Qeveria gjatë dy muajve te pare nuk ka paguar asnjë qindarke per te ashtuquajturat detyrime për projektet e investimeve publike.

Qeveria gjatë dy muajve te pare ka paguar në dy muaj vetëm 26 milionë USD projekte investimesh, nga 93 milionë USD qe janë paguar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Këtyre faktorëve ju shtohet edhe humbja e besimit të investitorëve për shkak të prishjes arbitrare dhe klienteliste të kontratave dhe koncesioneve në energjetikë apo fusha të tjera, si dhe rritjes të papritur me 50% të taksave mbi kompanitë;

Dhe po kështu rritja së panikut të përgjithshëm shoqëror edhe nga mungesa e rendit dhe sigurisë publike, veprimet antiligjore të qeverisë kundër pronës private; apo revanshi ndaj administratës dhe institucioneve të vendit.

Në këtë rrokullisje, qeveria po përgatitet të marrë një sërë hapash në drejtimin e gabuar që do ta përkeqësojnë gjendjen ekonomike të çdo qytetari dhe biznesi që operon në Shqipëri.

Në vija të përgjithshme, qeveria angazhohet për:

-bllokimin e rritjes së pagave për tre vjet dhe indeksimin e pensioneve vetën për nivelin e inflacionit.

-rritjen e moshës së daljes në pension dhe rritjen e kontributeve.

-Rritjen e çmimit të energjisë elektrike në  muajin qershor të këtij viti.

Dështimi evident për të mbledhur më shumë të ardhura nga taksat dhe akcizat e rritura, në vend që të shërbejë për reflektim serioz dhe rikthim tek modeli që funksiononte më mirë i taksave të ulëta dhe rritjes së bazës së tatimpaguesve po çon në një drejtim akoma më të rrezikshëm. Qeveria po shqyrton rritjen apo vendosjen e disa taksave të reja midis të cilave:

Vendosjen e pagesave ne rrugët e vendit;

Rritjen me 50% te taksës mbi tregtimin e makinave te përdorura;

Futjen e TVSH për ndërtimet-banesat e reja;

Futja e një takse për hyrje-daljet nga Shqipëria te qytetarëve shqiptarë;

Vendosja e taksës mbi pronën (shtëpi, tokë) sipas vlerës;

Futjen e një takse vjetore për përdorimin e makinave bazuar ne vlerën e tyre;

Rritjen me 20% e tatimit mbi te ardhurat e individëve, përfshi dhe interesat e depozitave dhe dividendin.

Vendosjen e akcizës mbi një numër të madh mallrash konsumi pa akcizë deri më sot.

Një tjetër risi e Rilindjes që premtoi uljen e çmimit të energjisë elektrike është shqyrtimi nga qeveria pikërisht i të kundërtës. Rritjen e çmimit të energjisë elektrike me pasoja vrastare për ekonominë familjare dhe kombëtare të shqiptarëve.

Shqiptarët që na dëgjojnë, shqiptarët që do të duhet të rrëmojnë akoma më thellë ne xhepat e tyre nëse këto taksa miratohen, e kanë të lehtë ta bëjnë vetë krahasimin midis asaj që u është premtuar nga qeveria e ashtuquajtur e Rilindjes dhe asaj që po u jepet.

Nga ëndrrat në diell, në realitetin e zymtë të shtrëngimit të rripit si asnjëherë tjetër. Ky është realiteti.

Për ne taksat e larta, paaftësia, korrupsioni dhe informaliteti janë shkaqet kryesore të përkeqësimit, rrokullisjes dhe reçesionit.

Eksperimentet në kurriz të shqiptarëve, apo më mirë mbi xhepat e shqiptarëve nuk janë zgjidhje por paaftësi dhe pashpirtësi.

Kontrata e kësaj qeverie me shqiptarët është deformuar tashmë  rëndë me braktisjen fatale të shumicës së  premtimeve prej saj.

Të dyfishosh në këtë deformim, duke braktisur në një anë çfarë ke premtuar e duke shtuar në anën tjetër atq që nuk e ke zënë në gojë, do të thotë të asgjësosh plotësisht legjitimitetin e votës, kuptimin e vetë zgjedhjeve, arsyen pse je qeveri.

Qeveria po mundohet ti bëjë bisht kësaj përballje. Ne e kemi për detyrë ta ndalojmë këtë bishtim. Ta detyrojmë të bëjë transparencë. Të japë llogari para qytetarëve. Dhe do ta bëjmë këtë duke nisur nga e enjtja në Kuvend. Dhe duke e shtrirë anembanë vendit.

Ky është qëndrimi që do të mbajmë të enten e ardhshme. Kjo është beteja jetike në emër të qytetarëve shqiptarë që nis e do të vazhdojë pa ndalim.

Faleminderit!


Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e parë të Kryesisë së re, 31 Mars 2014