Deputeti Bylykbashi denoncon tejkalimin me 8 ditë të afatit ligjor të botimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në fletoren zyrtare.

 

Partia Demokratike denoncon përpara opinionit publik mbajtjen peng dhe mosbotimin nga qeveria, të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 5 Shkurt, që shpalli si antikushtetues Aktin Normativ për nëpunësin civil.

Kushtetuta përcakton se vendimi hyn në fuqi pasi botohet në Fletoren Zyrtare. Ligji detyron Qendrën e Botimeve Zyrtare ta botojë atë brenda 10 ditësh. Gjykata Kushtetuese e ka dërguar vendimin të zbardhur që në datë 5 Shkurt.

Sot kanë kaluar 8 ditë nga skadimi i afatit më datë 15 shkurt, dhe vendimi vazhdon të mbahet peng me urdhër të Kryeministrit. Ndërkohë janë botuar akte me datë më të vonshme se vendimi i Gjykatës.

Qëllimi i vetëm është që ky vendim të mos marrë fuqi deri sa mazhoranca të miratojë ligjin që anulon vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë që mijëra vetë janë larguar nga puna në mënyrë antikushtetuese, qeveria vazhdon me largimet e paligjshme me pretendimin se vendimi i Gjykatës nuk ka hyrë në fuqi.

Kjo është një pengmarrje mafioze e shtetit, Kushtetutës, ligjit dhe gjykatës nga Kryeministri Rama. Ky akt është përdhosja më e rëndë ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqësorit në përgjithësi.

Kjo pengmarrje e vendimit të gjykatës është pengim i zbatimit të vendimit të gjykatës. Kjo përbën vepër penale dhe dënohet nga Kodi Penal. Përgjegjësi direkt për këtë mban drejtoresha e Qendrës së Botimeve Zyrtare dhe Ministri i Drejtësisë që e ka në varësi.

Përgjegjësi mban Kryeministri dhe qeveria e tij që janë dirigjentët e këtij skenari të shëmtuar anti-ligjor e anti-kushtetues në realizimin e planit të tyre për ta vënë administratën nën kontroll partiak.

Partia Demokratike i siguron personat përgjegjës direkt, por dhe urdhëruesit e tyre se ne do të kërkojmë deri në fund drejtësi për këtë skandal të paprecedent.