Pas botimit në Fletoren Zyrtare të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Deputeti Halimi i kërkon qeverisë të anulojë projektligjin e saj për Nëpunësin Civil, të kthejë konsensusin e shkelur, të cojë në vend dinjitetin e nëpërkëmbur të 5 mijë të shkarkuarve pa motiv. 

 

Sot, pas kalimit të çdo afati kushtetues dhe ligjor, pas presionit të opozitës dhe partnerëve ndërkombëtarë, Kryeministri tërhoqi urdhrin e tij arbitrar për të bllokuar botimin në Fletoren zyrtare të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e shpalli si antikushtetues aktin e Kryeministrit për nëpunësit civil.

Në shkelje të ligjit, në shkelje të Kushtetutës, me arrogancë dhe arbitraritet, Kryeministri mbajti peng botimin e këtij vendimi, me qëllimin e qartë të hedhjes në rrugë të qindra punonjësve nga Shkodra në Gjirokastër, nga Korça në Durrës, nga sanitarë, elektriçistë, hidraulikë e infermierë, e deri në stafet profesioniste. 

Qindra punonjës janë hedhur në rrugë këto ditë, janë lënë pa bukën e gojës, pa një rrogë për familjet e tyre nga urdhëri kriminal i kryeministrit për të përdorur si alibi botimin ose jo të ketij vendimi, ekzekutimin ose jo të vendimit të Gjykatës Kueshtetuese.

Ndaj dhe botimi i vendimit të Gjykates sot, që shpalli si antikushtetues firmën e Kryeministrit natën e 30 shtatorit 2013, përbën një fitore të Kushtetutës në këtë vend, të të drejtave të shkelura dhe të dhunuara të më shumë se 5 mijë punonjësve që janë hedhur në rrugë nga ajo firmë e Kryeministrit dhe janë lënë pa një mjet jetese.

Përbën një shenjë se shteti i së drejtës mund të fitojë kundër padrejtësisë dhe se administrata në këtë vend nuk mund të nëpërkëmbet sikur qeveritarët të ishin pushtues.

Por, beteja për reformimin e administratës dhe ligjit për nëpunësin civil, nuk është një betejë e politikës shqiptare, as edhe një betejë e zgjedhur nga Partia Demokratike.

Çështja e administratës publike ka qenë dhe mbetet një çështje kryesore, e iniciuar dhe e vendosur në axhendën e politikës shqiptare nga Bashkimi Europian. Nuk është vetëm çështja e një ligji, por është themeli i reformës së administratës, stabilitetit të saj, garancive që lidhen me ndërrimin e pushteteve, garancive që lidhen me profesionalizmin dhe meritën, garancive që lidhen me standardet europiane. 

Bashkimi Evropian e vendosi kusht miratimin e këtij ligji, jo në vitin 2013, por 2 vjet më parë, as për të mbushur rrugët me të papunët profesionistë dhe as për të mbushur administratën me militantët e papunë, por me kushtin e panegociueshëm, të miratimit të këtij ligji, ashtu siç ishte shkruar e zeza mbi të bardhë nga ekspertët e BE-së, dhe që u miratua pa ndryshuar asnjë presje në 30 maj 2013.

Të gjithë vendosën se ligji i shkruar dhe firmosur nga ekspertët e BE-së, në datën 1 tetor 2013 do të hynte në fuqi, pavarsisht kush do t’i fitonte zgjedhjet, pavarësisht kush do ishte Kryeministër i Shqipërisë. Në datën 1 tetor, të gjithë rrogëtarët do të kishin një garanci, që nuk ia jepte PD, nuk ia jepte PS, as LSI, por ia jepte BE, si një kusht për të filluar rrugën e integrimit, për një administratë që i përafrohej çdo ditë e më shumë standardeve të BE-së

Alibia e Kryeministrit se ligjit i mungonin aktet nëligjore, dhe se duhej ta anulonte këtë ligj, u rrëzua nga Gjykata Kushtetutese duke i thënë qartë atij, por dhe Parlementit që e noeterizoi një muaj më pas, se akti i Ramës i datës 30 shtator është antikushtetes, që atë ditë, që atë moment kur ka firmosur.

Hartimi i një ligji të ri nga mazhoranca, që zhbën tërësisht ligjin e kërkuar nga Bashkimi Evropian prej 2 vjetësh, që zhbën tërësisht reformën e kërkuar nga BE për administratën publike, që përpiqet të injorojë vendimin e Gjykatës Kushtetutese, është një drejtim që shkon jo vetëm kundër interesave të mijëra familjeve shqiptare që mbahen sot me një pagë nga shtetit, por para se gjithash dhe mbi të gjitha kundër integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ndaj dhe Partia Demokratike i bën thirrje sot mazhorancës Rama – Meta, të zbatojë pikë për pikë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të mos nëpërkëmbë më për asnjë minutë punonjësit e shtetit që kanë fituar statusin në 1 tetor 2013, të kthejë konsensusin e shkelur me aktin antikushtetes të 30 shtatorit, të anulojë projekligjin që ka firmosur për nëpunësin civil dhe të mos nëpërkëmbë më aspiratën europiane të shqiptarëve.