Kryetari i Partisë Demokratike, pret Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në BE, dhe e informon për gjendjen shqetësuese të demokracisë, rendit dhe ekonomisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Europian, Jonas Johnsson, të cilin e informoi për gjendjen shqetësuese të demokracisë në Shqipëri, për kursin anti-ligjor dhe anti-kushtetues të qeverisë dhe për aktet e saj të fundit kundër konsensusit politik.

Z.Basha evidentoi faktin se qeveria nuk reflekton dhe nuk dëgjon asnjë prej thirrjeve të opozitës dhe qytetarëve, përkundrazi ajo po thellon edhe më shumë krizën institucionale dhe politike në vend.

Kryetari i Partisë Demokratike e informoi z.Johnsson me faktin se qeveria refuzon të zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, dhe vonon botimin në fletoren zyrtare të vendimit që e shpall të paligjshëm aktin e saj për të shtyrë zbatimin e Ligjit të Nëpunësit civil, çka solli si pasoja fushatën e spastrimeve në administratën publike.

Është e papranueshme dhe e paprecedentë në historinë e shtetit, tha Basha, nisma e re të qeverisë, projekti që synon ndryshimin e Ligjit për Nëpunësin Civil në 16 nene, teksa ky ligj ende nuk është zbatuar. Ky projekt, shtoi Basha, është jo transparent dhe cënon sigurinë juridike të administratës dhe dobëson kushtet e nëpunësve civilë.

Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se goditja e institucioneve të pavarura në vend, si rasti i fundit i ILDKP-së, përmes shkeljes së ligjit, Rregullores së Kuvendit dhe uzurpimit të kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës, manifeston vullnetin e mbrapshtë të mazhorancës për të shkelur dhe nëpërkëmbur edhe ato standarde që përbëjnë kushte për integrimin europian të Shqipërisë duke e vënë këtë projekt madhor në rrezik për të dytën herë radhazi qëkur kjo mazhorancë u instalua në pushtet..

Kryetari i Partisë Demokratike, u ndal në gjendjen mjaft shqetësuese të rendit dhe pasigurisë në vend, në veçanti të situatës alarmante të tranzitimit të drogës nga Shqipëria drejt BE-së, dhe tha se kjo vjen si pasojë e dëmtimit të Policisë së Shtetit, nga shkarkimet masive që ka bërë qeveria, dhe nga zëvendësimi i profesionistëve me klientelë dhe njerëz me lidhje të dyshimta me krimin. Basha e informoi diplomatin e Bashkimit Europian për rastet më të fundit, ku individë me lidhje të forta politike, pasi janë emëruar në strukturat e policisë kanë rezultuar në krye të linjave të trafikut të drogës.

Z.Basha e njohu z.Johnsson me pakënaqësinë popullore që po krijon qeveria me mungesën e transparencës dhe arbitraritetin në vendimmarrje, me përkeqësimin që po i bën ekonomisë dhe gjendjes së financave publike dhe të qytetarëve dhe familjeve shqiptare dhe me braktisjen e premtimeve të saj të fushatës zgjedhore.

Z.Basha e garantoi z.Johnsson se megjithë kursin e evidentuar anti–integrim të akteve dhe qëndrimeve të qeverisë, Partia Demokratike do të vazhdojë  mbështetjen pa rezerva të këtij procesi jetik për Shqipërinë duke mbrojtur standardet e arrira dhe kolonat ekzistenciale të identitetit europian, demokracinë pjesëmarrëse dhe llogaridhënëse, shtetin ligjor, liritë dhe të drejtat e qytetarëve .