Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha takohet Drejtorin e Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje të Europës, Jonathan Moore.

Kryetari i Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha priti në një takim, Drejtorin për Çështje të Europës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, z. Jonathan Moore.
Në takimin e mbajtur në selinë e Partisë Demokratike,  u shkëmbyen pikëpamje mbi një sërë çështjesh të rëndësishme, si bashkëpunimi i deritanishëm dhe perspektiva e Partisë Demokratike mbi të ardhmen e vendit, mbi të gjitha Integrimin Europian të Shqipërisë, si një prioritet i të gjithë shqiptarëve.

 

Në takim u diskutua gjithashtu mbi rolin e Partisë Demokratike gjatë qeverisjes së saj në avancimin e axhendës europiane të Shqipërisë, e cila finalizoi me realizimin e zgjedhjeve me standarde të larta dhe mbi të gjitha me mënyrën e menaxhimit të rezultatit zgjedhor, ku u theksua fakti që për herë të parë në Shqipëri partia në pushtet organizoi zgjedhje të lira e të ndershme dhe tranzicion normal të pushtetit.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e rolit të opozitës për avancimin e axhendës europiane të Shqipërisë.

Kryetari i Partisë Demokratike e njohu z. Moore, me përpjekjet dhe mbështetjen e opozitës shqiptare, ndryshe nga opozita e djeshme, për marrjen e statusit kandidat.
Partia Demokratike, tha z.Basha, në asnjë moment nuk do të bllokojë apo cënojë procesin e integrimit europian të Shqipërisë, por do të punojë dhe do të përkushtohet për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

Z. Basha vuri në dukje nismat konkrete të Partisë Demokratike si rezoluta për integrimin europian e votuar unanimisht në Parlamentin Shqiptar. Sikundër edhe punën e tij vazhdueshme dhe intensive me partnerët dhe Partinë Popullore Europiane, në mbështetje të plotë të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

Në takim u vlerësuan hapat e rëndësishëm të bashkëpunimit strategjik dypalësh dhe në kuadër të NATO-s, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike.

Gjithashtu u diskutua për situatën aktuale në vend e në veçanti për cështjet e paligjshmërisë, cenimit të shtetit ligjor e demokracisë në Shqipëri. Në këtë kontekst, z.Basha e njohu z.Moore për shqetësimin e Partisë Demokratike mbi degradimin e shtetit ligjor, goditjet e përsëritura ndaj garancive kushtetuese për liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve, revanshin ndaj administratës publike, rritjen e pasigurisë në vend si rezultat i hapave mbrapa në policinë e shtetit, sinjalet negative të qeverisë ndaj ekonomisë, investitorëve dhe sipërmarrjes në përgjithësi, etj.

Kryetari i Partisë Demokratike e njohu z. Moore edhe me hapat që Partia Demokratike po merr për ripërtëritjen e saj dhe bashkimin e të gjithë kontributeve historike nëpërmjet procesit të zgjedhjeve në parti, si dhe me vizionin e saj për ndërtimin e një dialogu të përhershëm me qytetarët në funksion të ndërtimit të një demokracie të re në vend, ku në qendër është dinjiteti individual i çdo shqiptari, transparenca e llogaridhënia e vazhdueshme e qeverisjes para qytetareve si dhe respektimi e forcimi i shtetit ligjor në vend.