Fjala e deputetes së Partisë Demokratike Jorida Tabaku në Kuvend:

Si deputete e Tiranës, marr shkas nga dita e sotme të uroj qytetarët e Tiranës, Gëzuar 26 Nëntorin, Ditën e Lavdishme të Pavarësisë së Tiranës. Një festë që shumë familje të vjetra Tiranase e kanë festuar me krenari edhe në ditët e errëta të diktaturës.  Mirënjohje dhe respekt të vecantë familjeve të Fuat Bej Toptani, Refik bej Toptani, Abdullah Gjinali, Xhelal Toptani, Myderiz Sulejmani, Sheh Ahmet Pazari, Jusuf Aqif Banka, Myderiz Hyseni, Myslym Beshiri, Selim Petrela, Papa Nikolla Papajani, Ismail Ndroqi dhe Nikollë Nishku që ngritën Flamurin në Tiranë.

Projektligji në fjalë pasqyron rezultatet faktike të arritura në treguesit kryesorë të buxhetit të shtetit të vitit 2012, si të ardhurat, shpenzimet, deficiti buxhetor, huamarrja për financimin e tij etj.

Ky raport që vjen në parlament i certifikuar nga Qeveria Rama tregon se të gjitha shifrat e të dhënat të cilat kemi kohë që i deklarojmë janë faktike dhe reale dhe të njohura e të pranuara nga të gjithë.

1. Rritja ekonomike

Viti 2012 ishte një vit i vështirë, viti më i vështirë që ka provuar ekonomia shqiptare deri më sot. E kemi theksuar disa herë që ishte një vit i vështirë dhe kërkonte masa të vështira. Falë politikës fiskale të kujdesshme dhe stimuluese ndaj biznesit kriza globale nuk arriti që të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në vitin 2009, por shumë faktorë vazhduan ta afektojnë ekonominë globale dhe rrjedhimisht viti 2012 ishte viti, ku mesatarja e rajonit ishte negative, ndërkohë që në Shqipëri patëm një rritje pozitive prej 1.6%.

Në një vit krize, në një vit të vështirë, financat publike arritën të mbahen të konsoliduara, në objektivat dhe parametrat e vendosura në buxhetin e miratuar dhe në parametrat e vendosura nga BSH. E pritshme do të ishte që gjatë këtij viti të kishim një rritje të deficitit por kjo nuk ndodhi duke qenë se deficiti i vitit 2012 ishte 3.4% pra 0.1% më i ulët nga ai i vitit 2011.

Borxhi publik i vendeve të rajonit u rrit nga 41% në 47%, me 6 pikë përqindje kurse borxhi publik i Shqipërisë për vitin e kaluar, në krahasim me vendet e rajonit, u rrit me rreth 1.8% e kjo rritje i lidhet ngushtë me rënien e ritmit të rritjes së ekonomisë shqiptare. Asokohe ishit shumë të shqetësuar nga borxhi i lartë e ky shqetësim u vërejt se sa serioz qe që në hapat e para të qeverisë, ku për 3 muajt e mbetur e rritët me 6% borxhin përmes të famshmit akt normativ. Rritje që ezauron burimet e tregut të brendshëm, ndryshe nga praktika e buxheteve të shkuara.

2. Të ardhurat

Te ardhurat ne buxhetin 2012 ishin 330. 4 miliardë lekë, ose 0.9 përqind me pak se parashikimi dhe vetëm 0.2 përqind më pak se një vit më parë. Ndërkohë me aktin normativ të ardhurat në buxhetin 2013 janë 321 miliardë lekë, ose plot 22 përqind më pak se parashikimi. Dhe këtë nuk e them unë, nuk e thotë Partia Demokratike por dokumenti që keni sjellë sot për miratim.

Sigurisht që ka pasur probleme dhe në mbledhjen e të ardhurave, dhe kjo reflektohet në raport por asnjëherë realizimi i të ardhurave si nga doganat ashtu dhe nga tatimet nuk është më shumë se 2 përqind se parashikimi. Por, sipas edhe raportit të KLSH, shihet se politikat fiskale të qeverisë së kaluar nuk kanë qenë të dobëta apo pa vlerë, sepse mungesa e mbledhjes së të ardhurave nuk ka ardhur si efekt i rëndesës fiskale por si rezultat i shumë faktorëve që lidhen njëkohësisht dhe më krizën. Madje edhe ndryshimi i politikës së mbledhjes së akcizës nga doganat, legalizimi i pasurive të paluajtshme etj kanë sjellë një rritje të ndjeshme dhe kjo e krahasuar me vështirësitë që hasi ekonomia gjatë 2012. Në pak fjalë politikat fiskale, me gjithë problematikat e njohura, kanë sjellë një efekt pozitiv në rritjen e të ardhurave (Rritja e taksës për gazoilin, ndryshimi i nivelit për taksën vjetore ndaj automjeteve, rritjen e nivelit të taksës mbi karbonin).

Por ndërkohë që kemi një problematikë reale me mbledhjen aktuale të të ardhurave në dogana e tatime dhe me performancën e parashikuar për 3 muajt e parë të qeverisjes. Me bujë të madhe deklaruat se ka pasur rritje në të ardhurat tatimore e doganore për muajin tetor ndërkohë që nga tatimet janë mbledhur në tetor të 2012 13.1 miliardë dhe janë rimbursuar 639 milionë dhe në tetor 2013 janë mbledhur 13.8 miliardë e janë rimbursuar 231 milionë. Nga doganat të cilat këtë vit kanë mbledhur dhe akcizën nga 12.3 miliardë lekë në tetor të 2012 janë mbledhur 13.2 miliardë lekë në tetor të 2013 bashkë me akcizën prej 1.6 miliardë.

Kjo performancë në rënie, dhe kjo ulje e pritshmërisë sigurisht e përgatitur enkas për kontratën me agjentin e ri doganor ngre shumë pikëpyetje.

Disa nga shqetësimet që dua të ngre dhe që lidhen me sugjerime për qeverinë në manaxhimin e kontratës me Crown Agents por që do të ndikojë në buxhetin e vitit 2013 janë:

Së pari, për informalitetin që kjo mund të sjellë duke prishur zinxhirin e mbledhjes së të ardhurave dhe duke nxjerrë nga sistemi disa individë (kompani) pa asnjë shkak ligjor dhe financiar.

Së dyti, kjo marrëveshje nuk i vendos palët në dy pozicione të barabarta duke qenë se maksimumi i riskut dhe penaliteteve është 3 ml Euro në 3 vite. Nëse ndokush mund të pyes se si do të veprohet sikur kjo kompani t’i sjellë dëme qeverisë? Po në rastin e pakujdesisë? Po në rastin e shkeljes së detyrimeve? Po sikur buxhetit të shtetit t’i mungojnë të gjitha këto të ardhura? Prapë nuk ka rëndësi, sepse penaliteti është vetëm 3 ml euro në 3 vite ndërkohë që pagesa e shqiptarëve ndaj tyre është mbi 13 milionë Euro, për të mbledhur mbi 4.5 miliardë euro.

Së treti, kundërshtimi im lidhet me pagesat. Kompania përfiton një pagesë me 10% pa filluar punë pa llogaritur shpenzimet operative për mjete, pra i paguhet kompanisë 1 milion euro. Ndërkohë që në rast se mund të zbulohet apo mund të ndodhë ndonjë nga ngjarjet e përmendura më sipër qeveria do të vijojë të paguajë se në rast mos pagese është e detyruar të paguajë interes për shumën e mos paguar prej 3% plus normën e rifinancimit të BERZH. Dhe nëse ka problematika duhet të vazhdojë të paguajë e të presë sa të përfundojë arbitrazhi që të gjithë e dimë sa mund të zgjasë në kohë.

Së katërti, kjo kontratë u lavdërua, nga mazhoranca, se bazohej mbi tregues performance dhe se kompania do të rrisë të ardhurat doganore, siç thuhet në shtojcën që akoma është draft pune, nga 10.1 përqind në 11 përqind të GDP. A ka tregues më subjektiv se ky? Sikundër e përmenda më sipër aktualisht të ardhurat doganore janë mbi 11 përqind duke qenë se nga viti i kaluar akciza nuk mblidhet më nga tatimet, por nga dogana. Nga ana tjetër jo më larg se një javë më parë dëgjova diskutimin në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese që akcizat do të rriten, pra me vetëdije qeveria merr masa të tilla që edhe pa bërë asgjë, të ardhurat doganore të rriten prej këtyre dy lëvizjeve. Kështu që kjo kompani i bie q
ë të mos bëjë asgjë, sepse objektivi është arritur dhe akoma më çuditërisht objektivi është arritur akoma pa filluar punë! Për të mos folur pastaj për faktin se GDP në kohë llogaritet me diferencë të paktën një vit dhe baza e krahasimit është e vështirë, ndërkohë që sipas marrëveshjes pagesat duhen bërë se fillojnë penalitetet e nuk ka kohë për vonesa!

Pikërisht këto shifra konfirmohen nga buxheti faktit i vitit 2012, sa janë të ardhurat doganore së bashku me akcisat si përqindje e PBB. Dhe me miratimin e këtij buxheti faktik ju miratoni njëkohësisht dhe faktin që agjenti doganor do të paguhet pa bërë asgjë! Për të arritur më pak se sa është arritur në vitin 2012!

3. Buxheti social

Unë nuk besoj se ndonjë qeveri e djathtë ka pasur një buxhet social më të lartë se ai gjatë viteve të kaluara dhe kjo vërtetohet dhe njëherë këtu.

Duke pasur parasysh tendencat e tregut, dhe duke pasur parasysh problemet e krizës globale, u gjykua se buxheti për investime dhe për shtresat sociale nuk do të prekej. Politikat sociale të kujdesshme u shoqëruan me masa të kujdesshme sociale si dhe me përdorimin me efektivitet të parasë publike.

E para ilustrohet shumë mirë me faktin që rreth 5% e produktit të brendshëm bruto janë bërë investime dhe, njëkohësisht, duke konsideruar edhe faktin tjetër, shumë të rëndësishëm, atë standard të financave publike, të cilin ju e shkelët me aktin normativ, që rreth 100 milionë euro, i cili u takon investimeve, është financuar me të ardhura dhe jo me borxhin publik.

Për sa i përket përfshirjes sociale, duhen pasur parasysh dy aspekte. Së pari, kemi një nivel të ardhurash, pothuajse të njëjtë me atë të vitit 2011, kemi një ulje të borxhit publik nga 3,5 % të produktit të brendshëm bruto në 3,4 % të tij. Ndryshe nga këto tendenca kemi një rritje të ndjeshme të mbështetjes së buxhetit social. Në kushtet kur të ardhurat mbesin në të njëjtin nivel dhe borxhi është i ulur kemi një rritje të përfitimeve të pensionistëve me 50 milionë dollarë, kemi një rritje në programin e ndihmës ekonomike me 1,6 miliardë lekë, ose rreth 20 milionë dollarë, kemi një rritje në buxhetin e papunësisë.

Në tërësi, dua të theksoj faktin që ky buxhet nga 9,3 miliardë që ka qenë në vitin 2005 vitin e kaluar arriti të jetë 18 miliardë, ose gati dyfish.

Për këtë arsye, duke përfituar nga rasti këtu i bëj thirrje qeverisë që ndoshta me një akt tjetër normativ siç ka bërë deri më tani, të korrigjojë harresën që bëri kur hartoi buxhetin në shtator dhe nuk përfshiu pagesat e paaftësisë dhe të  papunësisë. Të mos konsiderojë çdo gjë të bërë nga qeveria e mëparshme si gabim, por nga ata 240 milionë dollarë të marrë borxh të paguajë dhe këto shtresa në nevojë dhe të mos ti lërë të presin janarin.

Raporti thekson se në të gjitha rastet, ashtu siç ndodhi dhe në vitin 2012, KLSH ka sugjeruar pagesën me përparësi të shtresës së të burgosurve politikë ku çdo e ardhur nga privatizimi përdorej me prioritet për investimet dhe të përndjekurit politikë. Shpresojmë që kjo praktikë të vazhdojë të ndiqet.

Siç u përmend dhe nga relatori në komisionin e ekonomisë vlera e këtij raporti është pikërisht në faktin se për herë të parë bën dhe një bilanc të detyrimeve të qeverisë për vitin 2012. Dhe me të drejtë ngrihet pyetja për çfarë duhet Auditi i paguar 80000 Euro kur kemi një institucion të pavarur që e bën këtë? Pse duhet të shpenzojmë për diçka që ekziston? Këtë shqetësim besoj e kanë dhe shumë shqiptarë sot!

A do t’i përmbahet qeveria raportit të KLSH me të mirat dhe të këqijat e saj?

Cili do të jetë kontributi i qeverisë së re që të vazhdojë udhën e nisur nga qeveria mbi këto pika?
A do të vazhdoni të silleni akoma sikur jeni në opozitë?

Apo do të përpiqeni të vazhdoni që qoftë edhe disa gjëra që edhe nën syrin e KLSH e institucioneve të tjera ndërkombëtare janë tregues pozitiv për ekonominë dhe shënjues pozitiv në buxhetin faktik, ti injoroni?

Unë besoj se raporti i paraqitur sot në Kuvend jep një kuadër të qartë të situatës me problematikat dhe sfidat që kishte ekonomia shqiptare dhe duke e pranuar atë me të mirat dhe të këqijat e saj shpresoj shumë që qeveria aktuale të marrë për bazë sugjerimet dhe të vazhdojë disa nga reformat e nisura në kuadrin e manaxhimit të përgjegjshëm të financave publike.